Fetoshi: Deklarata e Vuçiqit për Radoiçiqin është pranim politik i sulmit në Banjskë


Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me Milan Radoiçiqin, duke vlerësuar se ajo përbën një pranim politik të sulmit të armatosur në Banjskë dhe dëshmon mbështetjen institucionale të Serbisë ndaj autorëve të tij.
Në një postim në Facebook, Fetoshi tha se deklarata e Vuçiqit, sipas së cilës Radoiçiq “po kërkohet për shkak të Kosovës e Metohisë, e jo për shkak të krimit”, nuk mund të interpretohet ndryshe veçse si legjitimim i operacionit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Sipas tij, presidenti serb me këtë qëndrim e paraqet ish-nënkryetarin e Listës Serbe jo si një person të dyshuar për vepra penale, por si një “patriot” që ka vepruar në funksion të interesave kombëtare të Serbisë.
Fetoshi argumenton se deklarata e Vuçiqit nënkupton se arsenali i armëve, municioni, pajisjet ushtarake dhe grupi i armatosur i përfshirë në sulmin e Banjskës nuk trajtohen si elemente të një krimi, por si mjete për realizimin e një qëllimi politik.
Ai shton se kjo përfaqëson atë që në komunikimin strategjik njihet si “përgjegjësi e deleguar”, ku shteti nuk e pranon zyrtarisht autorësinë e një veprimi, por, sipas tij, u ofron mbrojtje institucionale autorëve.
Në reagimin e tij, Fetoshi përmend edhe akuzat ndaj Milan Radoiçiqit në Kosovë për sulm kundër rendit kushtetues, financim të terrorizmit dhe pastrim parash, si dhe urdhër-arrestin për krime lufte në Gjakovë. Ai kujton gjithashtu se Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kanë qenë më herët objekt hetimesh në Serbi për kontrabandë dhe krim të organizuar.
Në përfundim, drejtori i Institutit “Octopus” vlerëson se deklarata e Vuçiqit konfirmon, sipas tij, lidhjen e shtetit serb me strukturat kriminale në kuadër të strategjisë ndaj Kosovës dhe e cilëson këtë si kërcënim të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor./Telegrafi/








































