LAJMI I FUNDIT:

Meta për projektin e Portit të Durrësit: Skemë tipike pastrimi parash

Meta për projektin e Portit të Durrësit: Skemë tipike pastrimi parash

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se afera e Portit të Durrësit është një skemë tipike pastrimi parash.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta u shpreh se vetëm me 6.8 për qind të financim nga aksionarët dhe bankat, pra rreth 130 milion euro, realizohet një operacion qarkullimi prej 3.2 miliardë euro.

Sipas tij, rreth 600 milion euro nuk hyjnë në shtet dhe një ndërhyrje e tillë, cenon rëndë të ardhurat në buxhet.

“Afera e Portit të Durrësit, është një çmenduri tjetër rilindase, që ka përcaktorë makuterinë, babëzinë, pastrimin e parave, mungesën e transparencës, dhe shkatërrimin e interesit publik. Nga një vlerësim i planit të financimit të projektit, duket qartë se kemi të bëjmë me një skemë tipike pastrimi parash. Vetëm me 6.8 % financim nga aksionerët dhe bankat, (të investimit 2 miliard euro), pra rreth 130 milion euro, realizohet një operacion qarkullimi prej 3.2 miliard Euro. Nuk ka transparencë se cili është interesi publik i kësaj skeme pastrimi parash. Me statusin e investitorit strategjik të skemës, nuk është e qartë nëse TVSh e munguar do të jetë 20 për qind e 2 miliard, rreth 400 milion euro”, shkruan Meta.

“Pa përmendur 8 për qind të infrastrukturës, 160 milion euro dhe 3 për qind për të pastrehët 60 milion euro. Pra, rreth 600 milion euro që nuk hyjnë në shtet. Një ndërhyrje e tillë, cënon rëndë të ardhurat në buxhet dhe prish gjithë tregun e ndërtimit dhe kompanive të rregullta të ndërtimit. Interesi këtu është krejtësisht privat, pasi projekti nuk është infrastrukturë strategjike. Por “strategjike” për “Rilindjen” janë vetëm mega-skemat e vjedhjes dhe pastrimit të parave!”, shkroi Meta në Facebook. /Telegrafi/