Mësohet premia e jashtëzakonshme që Perez ua kishte ofruar lojtarëve për ta eliminuar Bayern Munichun

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, raportohet se tentoi t’i motivonte maksimalisht lojtarët para ndeshjes së kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munich, duke u ofruar një bonus të jashtëzakonshëm nëse skuadra do ta siguronte kualifikimin.
Sipas gazetës spanjolle AS, Perez u kishte premtuar futbollistëve nga 500 mijë euro bruto secilit në rast se Reali do të kalonte në gjysmëfinale.
Për krahasim, lojtarët e “Los Blancos” kishin përfituar rreth 900 mijë euro bruto për triumfin në Ligën e Kampionëve dy vjet më parë.
AS thekson se vendimi për një bonus kaq të lartë vetëm për arritjen në gjysmëfinale erdhi sepse Liga e Kampionëve konsiderohej shpresa e fundit e Real Madridit për të fituar trofe këtë sezon. Perez kërkoi t’i jepte një shtysë shtesë ekipit, sidomos pas humbjes 1-2 në ndeshjen e parë në shtëpi.

Ndeshja në Mynih si “finale”
Edhe pse zyrtarisht ishte vetëm ndeshja e dytë e çerekfinales, përplasja në Mynih u përjetua si një ndeshje “gjithçka ose asgjë”. Sipas raportimit, drejtuesit e Realit e kuptonin se skuadra kishte nevojë për një motivim ekstra për të qëndruar në garë, ndaj u rikthyen te një metodë që dikur ishte shumë e përdorur – bonuset e mëdha të menjëhershme, të cilat vitet e fundit janë bërë më të rralla.
Edhe financiarisht kishte peshë të madhe Sipas AS, arritja në gjysmëfinale do t’i sillte Real Madridit rreth 15 milionë euro shtesë nga çmimet e UEFA-s, plus të ardhura të ngjashme nga shitja e biletave, pasi buxheti minimal i planifikuar në klub thuhet se ishte ndërtuar mbi objektivin “çerekfinale”.

Në fund, as motivimi financiar nuk mjaftoi. Real Madridi u eliminua edhe në ndeshjen e kthimit në Mynih, duke humbur 3-4, dhe kështu lojtarët jo vetëm që mbetën pa gjysmëfinale, por edhe humbën bonusin e madh që u ishte ofruar si nxitje. /Telegrafi/




















































