Diferenca prej 7,000 minutash - pse PSG mund të ketë avantazh ndaj Arsenalit

Finalja e Ligës së Kampionëve mes Arsenalit dhe PSG-së pritet të jetë kulmi i një sezoni të gjatë dhe rraskapitës për të dy skuadrat, por statistikat tregojnë se kampionët e Francës mund të hyjnë në këtë duel me një avantazh të rëndësishëm fizik ndaj londinezëve.
Ndeshja në “Puskas Arena” të Budapestit do të jetë e 63-ta e sezonit për Arsenalin, i cili deri në fillim të prillit ishte në garë për katër trofe. Në anën tjetër, PSG ka zhvilluar 56 ndeshje këtë edicion, pa llogaritur shtatë sfidat e Kupës së Botës për Klube verën e kaluar.
Megjithëse PSG ka luajtur më shumë ndeshje në Ligën e Kampionëve, 16 përballë 14 të Arsenalit, diferenca reale shihet te menaxhimi i minutave të lojtarëve.

Formacioni titullar i Arsenalit në gjysmëfinalen e kthimit kishte grumbulluar afro 7,000 minuta më shumë në kampionat sesa ai i PSG-së.
Trajneri Luis Enrique ka përdorur rotacion të vazhdueshëm gjatë sezonit në Ligue 1, duke pushuar shpesh yjet kryesore falë diferencës së madhe me rivalët vendas dhe thellësisë së skuadrës së ndërtuar nga investimet e mëdha të pronarëve nga Katari.
Kapiteni Marquinhos është shembulli më i qartë, mbrojtësi brazilian luajti 14 ndeshje në Ligën e Kampionëve, po aq sa paraqitje kishte në kampionat, nga mesi i shkurtit deri në prill ai nuk luajti asnjë minutë në Ligue 1, ndërsa ishte titullar në çdo sfidë evropiane.

Edhe Ousmane Dembele është menaxhuar me kujdes, fituesi i çmimit “Lojtari i Vitit” në Francë e përfundoi vetëm një herë një ndeshje të plotë në kampionat, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia luajti 90 minuta vetëm dy herë gjatë sezonit.
Në të kundërt, lojtarët kryesorë të Arsenalit kanë mbajtur barrën më të madhe të minutave.
Portieri David Raya luajti çdo minutë të sezonit deri në ndeshjen e fundit të kampionatit. Declan Rice, William Saliba, Gabriel dhe Martin Zubimendi kanë nisur të paktën 30 ndeshje në Ligën Premier.
Diferenca bëhet edhe më e dukshme kur krahasohen kampionatet, Liga Premier konsiderohet liga më e fortë në Evropë sipas koeficientëve të UEFA-s, ndërsa Ligue 1 renditet e pesta.
Për më tepër, sezoni francez ka katër ndeshje më pak për shkak të formatit me 18 skuadra.
PSG e siguroi titullin kampion më 13 maj dhe ka pasur 13 ditë pushim para finales, ndërsa Arsenali vetëm gjashtë.
Luis Enrique madje kishte kërkuar shtyrjen e një ndeshjeje kampionati mes dy përballjeve çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit, me synimin për të menaxhuar lodhjen e lojtarëve.
“Çdo ndeshje është ndryshe dhe duhet të marrim gjithçka në konsideratë. Duhet të flas individualisht me lojtarët. Nuk është e lehtë, është si të luash Tetris”, deklaroi trajneri spanjoll gjatë sezonit.
PSG ka dominuar futbollin francez me 12 tituj në 14 sezonet e fundit, ndërsa Arsenali sapo i dha fund pritjes 22-vjeçare për titullin kampion në Angli.
Të dy klubet kanë tani nga 14 tituj kampionë në kampionatet respektive, por parisienët hyjnë në finale me më shumë eksperiencë dhe me këmbë dukshëm më të freskëta.
Mbetet të shihet nëse ky avantazh fizik do të jetë vendimtar në finalen e madhe të së shtunës. /Telegrafi/










































