LAJMI I FUNDIT:

Megaoperacioni “Tempulli 2” i policisë shqiptare, shkon në 71 numri i të arrestuarve

Megaoperacioni “Tempulli 2” i policisë shqiptare, shkon në 71 numri i të arrestuarve

Vihet në pranga një 35-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, shkon në 71 numri i shtetasve të ndaluar.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Tempulli 2”, bazuar dhe në inteligjencën informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.


Si rezultat, në rrugën “Gjergj Legisi”, në Laprakë, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasi R. D., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” informoi sot policia.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 14 kg kanabis, 5.3 kg kokainë, 170 gram heroinë dhe 11 peshore elektronike, 4 armë zjarri pistoleta dhe 1 armë zjarri automatik, 70 celularë, 11 automjete, 2 186 000 lekë, 11 610 euro, 630 paund. /Telegrafi/