eksperti ad

Paraqitja e Uruguait në Kupën e Botës 2026 rezultoi zhgënjyese, me përfaqësuesen amerikanojugore që u eliminua që në fazën e grupeve pas humbjes 1-0 ndaj Spanjës në ndeshjen vendimtare.

Golin e vetëm të takimit e realizoi Alex Baena, duke i dhënë Spanjës fitoren dhe duke vulosur largimin e skuadrës së drejtuar nga Marcelo Bielsa nga turneu.


Eliminimi i hershëm ka shkaktuar reagime të shumta në Uruguai, ndërsa presioni mbi Bielsan është rritur ndjeshëm. Trajneri prej kohësh është përfolur për një marrëdhënie jo të lehtë me disa prej futbollistëve të skuadrës dhe tani e ardhmja e tij është vënë seriozisht në pikëpyetje.

Sipas raportimit të ESPN, Bielsa u foli lojtarëve në dhomat e zhveshjes menjëherë pas eliminimit dhe mesazhi i tij, i drejtuar kryesisht ndaj futbollistëve më me përvojë të ekipit, ishte mjaft i ashpër.

“Po largohem nga kjo Kupë Bote i trishtuar sepse më keni braktisur”, raportohet të ketë thënë trajneri argjentinas, duke shprehur zhgënjimin e tij për situatën brenda ekipit.

Kjo ngjarje vjen në një moment delikat për Bielsan, e ardhmja e të cilit në stolin e Uruguait mbetet plotësisht e paqartë.

Vetë trajneri shtoi edhe më shumë spekulimet rreth largimit të tij me deklaratat e bëra në konferencën për shtyp pas eliminimit.

“Si do të kujtohet periudha ime këtu? Si një periudhë që nuk solli asgjë”, deklaroi Bielsa.

Kontrata e Bieslas ishte planifikuar të përfundonte pas Kupës së Botës dhe mbetet të shihet nëse Federata Uruguaiane do të tentojë ta vazhdojë bashkëpunimin me të apo nëse palët do të ndahen pas këtij zhgënjimi të madh./Telegrafi/

telegrafi sport app