Mbi 5 mijë vdekje në Gjermani nga vala e të nxehtit


Vala e të nxehtit që goditi Gjermaninë në fund të muajit qershor ka shkaktuar më shumë se 5 mijë vdekje të tepërta, sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë.
Gjatë javës së fundit të qershorit janë regjistruar 5.486 vdekje më shumë krahasuar me mesataren e viteve 2022–2025.
Periudha përkoi me kulmin e valës së të nxehtit, kur Gjermania shënoi temperatura rekord, raportojnë mediat.
Ekspertët theksojnë se temperaturat ekstreme janë veçanërisht të rrezikshme për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, pasi nxehtësia e madhe mund të përkeqësojë gjendjet ekzistuese shëndetësore.
Gjermania është përballur me një seri rekordesh të temperaturave të larta gjatë kësaj vale të nxehtit, me temperatura që kanë kaluar mbi 41 gradë Celsius në disa zona të vendit.
Shkencëtarët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta, më të gjata dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike. /Telegrafi/

































