eksperti ad

Kylian Mbappe ka reaguar publikisht ndaj senatores paraguajane Celeste Amarilla, pas deklaratave të saj të cilësuara si raciste në vazhdën e ndeshjes Francë – Paraguai në 1/16 e finales së Kupës së Botës.

Në një deklaratë të shpërndarë pas ndeshjes, sulmuesi francez u shpreh me tone të forta, duke e dënuar ashpër gjuhën e përdorur ndaj tij dhe sjelljen e zyrtares paraguajane.


“Zonja Celeste Amarilla, ju jeni një grua e neveritshme dhe e padenjë për pozitën që mbani. Ju nuk përfaqësoni Paraguajin, një vend që gjatë këtij turneu ka treguar pasion dhe nder”, thuhet në deklaratë.

Mbappe shton se, sipas tij, komentet e saj raciste kanë dëmtuar imazhin e vendit dhe kanë zhvendosur vëmendjen nga paraqitja e mirë e ekipit kombëtar paraguajan në turne.

“Përmes papërgjegjshmërisë dhe racizmit tuaj të hapur, bota tashmë ka harruar rrugëtimin historik të lojtarëve tuaj, duke u përqendruar te një person i paaftë që i jep imazhin më të keq të mundshëm vendit të saj”, vijon deklarata.

Në fund, Mbappe thekson se nuk do të tolerojë përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe racizmit në futboll dhe më gjerë në shoqëri.

“Unë nuk do t’i lejoj kurrë njerëzit si ajo të përhapin urrejtje dhe racizëm në botë”, përfundon reagimi i tij. /Telegrafi/

telegrafi sport app