Matthaus nuk hesht pas eliminimit: Këta janë lojtarët që duhet të shpëtojnë Gjermaninë


Legjenda e futbollit gjerman, Lothar Matthaus, ka bërë thirrje për një rindërtim të Kombëtares së Gjermanisë pas eliminimit të hershëm nga Kupa e Botës, duke insistuar se Joshua Kimmich duhet të vazhdojë të jetë figura qendrore e skuadrës.
Ish-kapiteni i Gjermanisë beson se mesfushori i Bayern Munichut, Joshua Kimmich duhet të mbetet lideri i ekipit edhe në ciklin e ardhshëm, ndërsa ka përmendur edhe disa emra të tjerë që mund të jenë baza e një epoke të re.
"Unë ende e shoh Joshua Kimmich si shtyllën kurrizore dhe kapitenin e ekipit. Jonathan Tah dhe Nico Schlotterbeck gjithashtu mund të jenë fytyrat e reja të kësaj skuadre", shkroi Matthäus në kolonën e tij për Sky.
Fituesi i Kupës së Botës 1990 përmendi edhe Kai Havertzin si një kandidat për të marrë rol më të madh në sulm, por theksoi se pozicioni dhe detyrat e tij duhet të përcaktohen nga trajneri i ri i kombëtares.

Një tjetër çështje që mbetet e hapur për Gjermaninë është pozita e portierit. Matthäus vuri në pikëpyetje të ardhmen e numrit një aktual dhe kërkoi një vendim të qartë për këtë repart.
"A duan të vazhdojnë me Oliver Baumann? Me Jonas Urbig ke një portier tek i cili mund të mbështetesh", u shpreh ai.
Sipas Matthaus, ndryshimet në Kombëtaren gjermane nuk duhet të kufizohen vetëm te stoli i trajnerit, por duhet të përfshijnë një ristrukturim më të gjerë të skuadrës, me synimin për të rikthyer Gjermaninë në majat e futbollit botëror. /Telegrafi/











































