LAJMI I FUNDIT:

Masakra e Srebrenicës, Hoti thotë se populli i Kosovës bashkëndjen me boshnjakët

Masakra e Srebrenicës, Hoti thotë se populli i Kosovës bashkëndjen me boshnjakët

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka përkujtuar Masakrën e Srebrenicës duke thënë se barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë, të cilat edhe ndodhën.

“I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera”.


Hoti thotë se populli i Kosovës që përjetoi edhe vetë gjenocidin serb bashkëndjen me popullin e Bosnjës dhe Hercegonivës.

Mesazhi i plotë i kryeministrit Hoti:

“Sot, në 25-vjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë, lutemi për 8372 viktimat civile boshnjake, të cilët u ekzekutuan pamëshirshëm nga Ushtria e Republikës Serbe të Ratko Mlladiqit.

Barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 në Srebrenicë, paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë dhe për fat të keq ato ndodhën! I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera.

Por, ndonëse me vonesë, pasi kishin ndodhur shumë gjakderdhje, ndërsa qindra-mijëra jetë njerëzish ishin shuar, bota demokratike ndërhyri për t’i shpëtuar popujt e shtypur dhe për ta ndalur njëherë e përgjithmonë makinerinë e Millosheviqit.

Populli i Kosovës, që e përjetoi edhe vetë gjenocidin serb gjatë viteve 1998-’99, bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës!

Zoti i bekoftë viktimat e Srebrenicës!

Zoti i bekoftë popujt liridashës kudo në botë!”, ka thënë Hoti. /Telegrafi/