Marotta paralajmëron Interin: Nuk mund të shpenzojmë çmendurisht si klubet e Ligës Premier

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka pranuar se klubi italian nuk është në gjendje të rivalizojë financiarisht me klubet e Ligës Premier, pas një vere të vështirë në merkato, ku "Nerazzurrët" humbën disa objektiva të rëndësishëm.
Duke folur për “Globo TV” gjatë turneut parasezonal të Interit në Australi, Marotta u ndal te diferenca ekonomike mes Serie A dhe futbollit anglez, pas dështimit për të transferuar Marco Palestran, i cili zgjodhi Chelsean.
Përveç humbjes së garës për Palestran, Interi pa të dështonte edhe transferimi i Anan Khalailit, pasi futbollisti nuk e kaloi kontrollin mjekësor para transferimit nga Union Saint-Gilloise.
“Në vitet '80 dhe '90, Serie A ishte pika e referencës për futbollin në mbarë botën”.
“Sot balanca ka ndryshuar dhe diferenca ekonomike është e dukshme. Nuk mund të mendojmë ta ngushtojmë atë hendek duke shpenzuar shuma të çmendura parash”.

Marotta theksoi se Interi duhet të gjejë rrugë të tjera për të mbetur konkurrues.
“Përgjigjja jonë duhet të jetë ndryshe: kreativiteti, kompetenca dhe motivimi. Ideja se fiton automatikisht ai që shpenzon më shumë para është në kundërshtim me frymën e sportit”.
“Duhet të ndërtohet një skuadër me vlera, duke shfrytëzuar në maksimum punën e drejtuesve, trajnerëve, stafit dhe lojtarëve”.
Interi fitoi sezonin e kaluar titullin e Serie A dhe Kupën e Italisë, por nuk arriti të lërë gjurmë në Ligën e Kampionëve.
Pavarësisht kësaj, Marotta këmbëngul se objektivat e klubit nuk ndryshojnë.
“Pritshmëritë janë gjithmonë të njëjta. Interi merr pjesë në çdo garë me synimin për të arritur rezultatin maksimal”.
“Ky klub ka fituar shumë trofe gjatë historisë së tij dhe kjo tregon më mirë se çdo fjalë identitetin tonë. Jemi një klub i mësuar të fitojë, por pas çdo suksesi qëndrojnë pasioni, puna e palodhur dhe ndjenja e përkatësisë”./Telegrafi/












































