LAJMI I FUNDIT:

“Manaj, titullar te Shqipëria në 12 vitet e ardhshme”

“Manaj, titullar te Shqipëria në 12 vitet e ardhshme”

Zëvendëstrajneri i Kombëtares Kuqezi, Paolo Tramezzani, në një intervistë dhënë për portalin e gazetarit të njohur më së shumti për lajmet e transfereve “Gianlucadimarzio.com”, ka folur në lidhje me shanset që Rey Manaj, aktualisht i grumbulluar me Shpresat e Shqipërisë, ka për tu grumbulluar me Kombëtaren Kuqezi për në Kampionatin Europian “Francë 2016”.

“Rey ka të gjitha shanset si të gjithë kandidatët e tjerë. Është e qartë dhe e pamohueshme që në zgjedhjen përfundimtare do të ndikojë edhe fakti i hapësirave që futbollistët kanë pasur me klubet e tyre për tu shprehur, jo vetëm nga fillimi i sezonit deri tani, por edhe nga ky moment dhe deri në grumbullimin për në Kampionatin Europian. Përtej “Euro 2016”, personalisht jam i bindur që Manaj do të luaj si titullar me këtë Kombëtare, për 12 vitet e ardhshme”, deklaroi Tramezzani.


Zëvendësi i trajnerit Gianni De Biasi foli edhe në lidhje me Ergys Kaçen, mesfushorin e PAOK Selanik, prej kohësh nën vëzhgimin e zyrtarëve të transferove së klubit zikaltër.

“Mendoj se aid he Taulant Xhaka janë profili i duhur i futbollistit, që mund të luajnë me sukses në Itali, madje që nga ky moment, pasi kanë patur një eksperiencë të rëndësishme ndërkombëtare me klubet e tyre”, u sugjeroi Tramezzani.

Tekniku Italian, si një ish-Interist, nuk mund të mos cekte sado pak edhe çështjen e kampionatit në Seria A. “Mendoj se Roma do të fitojë garën për vendin e tretë në kampionat. Përtej rezultatit të së shtunës, që nuk ndryshoi asgjë në klasifikim, në këtë moment Roma po luan më mirë se Interi, e për më tepër ka një raport më të madh rritje, krahasuar me Interin. Zikaltërit janë një ekip që mundet dhe duhet të përmirësohet shumë, por sipas të gjitha gjasave do të duhet ta bëjë duke kaluar në një tjetër merkato të rëndësishme”, përfundoi Tramezzani.