Man City gati të thyejë rekorde për yllin e Nottinghamit, oferta arrin në 121 milionë euro


Manchester City po vazhdon ofensivën në tregun e transferimeve me synimin për të ndërtuar një skuadër fituese për sezonin e ardhshëm, ndërsa ka intensifikuar përpjekjet për transferimin e mesfushorit të Nottingham Forest, Elliot Anderson.
Sipas gazetarit të njohur të afatit kalimtar, Fabrizio Romano, kampionët anglezë kanë paraqitur një ofertë të re prej 106 milionë eurosh fikse, plus 15 milionë të tjera në formë bonusesh, duke e çuar vlerën totale të operacionit në 121 milionë euro.

Pas largimit të portugezit Bernardo Silva në fund të kontratës së tij, drejtuesit e Cityt janë vënë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues të denjë dhe për t’i ofruar trajnerit të ri, Enzo Maresca, një skuadër konkurruese për sezonin e ri.
Mesfushori 23-vjeçar konsiderohet prioritet absolut për trajnerin italian, i cili synon të krijojë një repart mesfushorësh të nivelit më të lartë së bashku me Rodrin dhe Rayan Cherkin.

Megjithatë, Nottingham Forest nuk ka ndërmend të lëshojë lehtë. Drejtuesit e klubit kërkojnë të paktën 120 milionë euro të garantuara për të dhënë dritën jeshile për largimin e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.
Situata bëhet edhe më e komplikuar nga interesi i Manchester United, i cili po monitoron nga afër zhvillimet dhe mund të futet në garë për shërbimet e mesfushorit anglez.
Në rast se negociatat me Nottingham Forest nuk përfundojnë me sukses, Manchester City mban në listë edhe emrin e Sandro Tonali si alternativë të mundshme për forcimin e mesfushës.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të kuptuar nëse Manchester City do të pranojë kërkesat financiare të Nottingham Forest apo nëse saga e transferimit do të vazhdojë gjatë verës.
Një gjë është e sigurt, “Qytetarët” janë të gatshëm të investojnë shuma rekord për ta bërë Andersonin një nga transferimet më të bujshme të afatit kalimtar. /Telegrafi/





































