Ish-presidentja e Kosovës dhe deputetja e zgjedhur, Vjosa Osmani, ka reaguar pas betimit në Kuvend, duke theksuar se rikthimi në institucionin ligjvënës nënkupton kthim te burimi i mandatit dhe përgjegjësia për t'u shërbyer qytetarëve.

Përmes një deklarate, Osmani tha se Kuvendi mbetet "tempulli i demokracisë" dhe vendi nga ku buron mandati i përfaqësuesve të zgjedhur.


“Po rikthehemi aty ku çdo mandat e ka burimin: te tempulli i demokracisë dhe i qytetarëve dhe te përgjegjësia për t’i shërbyer Republikës”, ka shkruar Osmani.

Ajo shtoi se betimi i bërë në Kuvend përfaqëson vazhdimin e angazhimit të saj për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve.

“Betimi i sotëm është vazhdim i të njëjtit zotim: për t’i shërbyer Kosovës dhe të gjithë qytetarëve tanë me dinjitet, guxim dhe përkushtim”, ka theksuar Osmani.

Osmani është betuar si deputete në legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës, pas përfundimit të mandatit të saj si presidente e vendit./Telegrafi.