Man City fiton dhe bëhet lider i ri i Ligës Premier, fal rregullit të golave edhe pse janë baras me Arsenalin

Manchester City ka shënuar fitore të ngushtë ndaj Burnleyt me rezultat 1-0, në ndeshjen e javës së 34-të në Ligën Premier , duke marrë kryesimin e tabelës.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Erling Haaland në minutën e 5-të, pasi u shërbye nga Jeremy Doku dhe e dërgoi topin në rrjetë për epërsinë e hershme të “Qytetarëve”. Edhe pse pritej që Man City të shënonte më shumë gola, nuk arriti të gjente rrjetën më shumë.
Burnley pati momente të rrezikshme në pjesën e parë, por Gianluigi Donnarumma reagoi mirë në fillim të ndeshjes, ndërsa mbrojtja e Cityt e mbajti rezultatin deri në fund.

Pas kësaj, Man City pati disa raste të mira për ta mbyllur ndeshjen më herët. Haaland goditi shtyllën në minutën e 55-të, ndërsa Martin Dubravka ishte vendimtar për Burnleyn me disa pritje të mëdha, përfshirë dy raste të pastra ndaj Haalandit në minutat e fundit.
Me këtë triumf, Manchester City dhe Arsenali janë të barabartë me nga 70 pikë, si dhe me goldallim të njëjtë, por City kalon në vendin e parë për shkak të numrit më të madh të golave të shënuar. Manchester City ka 66 gola të shënuar, 29 të pësuar, ndërsa Arsenali 63 gola të shënuar, 26 të pësuar.

Gara për titull në Ligën Premier mbetet e hapur, me Man Cityn dhe Arsenalin që vazhdojnë “kokë më kokë” në javët e fundit të sezonit. /Telegrafi/




















































