LAJMI I FUNDIT:

Mama, sa më ngjake!

Mama, sa më ngjake!

Zëri. Forma e syve. Por edhe ai karakter. Dhe një lloj pedanterie. Je krejt jot' ëmë!", të thonë. Po ju, çfarë do të mbanit dhe çfarë do të hidhnit nga familja juaj?

Pedante si mamaja? Kur ishit fëmijë, betoheshit se nuk do të bëheshit kurrë e tillë: bezdiseshit shumë kur e shikonit të vinte rregull tek çdo gjë që i dilte përpara. Kaluan vitet dhe, në dukje, e keni humbur bastin: tani i klasifikoni edhe rrobat sipas ngjyrave, në zyrë ju quajnë e përsosura, madje edhe mikja juaj e ngushtë bën shaka, duke ju thënë: "Je krejt si mamaja jote…". Zakonisht zemëroheni dhe thoni se nuk është e vërtetë, por nuk mund ta mohoni që krahasimi ju bezdis dhe ju befason. Nuk jeni e vetme. Ta pranojmë apo jo këtë ngjashmëri? "Miqtë ma thonë gjithmonë: ke trupin e nënës tënde. Është një kompliment. Por krahasimi me të më nervozon"


Jo, unë nuk pranoj
Klasike. Ato që plagosin më tepër janë ngjashmëritë me prindin, prej të cilit jemi përpjekur të diferencohemi me të gjitha mënyrat. Kur analogjitë me nënën vazhdojnë të plagosin edhe pas moshës 30 vjeç, ka mundësi që raporti i rivalitetit me prindin të mos jetë zgjidhur akoma. Por është një armiqësi, që ka tendencë të zhduket me kalimin e kohës. Në mënyrë të veçantë, kur vajza në moshë të pjekur zhvillon një identitet personal, ndërton një rrjet lidhjesh dhe bëhet ekonomikisht e pavarur. Në praktikë, kur nuk ka më një raport varësie. Qofshin cilësi apo të meta, të krahasuarit me një të afërm shkakton gjithmonë njëfarë bezdisjeje. Ngjashmëria perceptohet si diçka që fyen individualitetin personal dhe pavarësinë. Dhe kjo na bën të ndjehemi të gjymtuar. Është sikur të mos na njihnin për talentet që kemi, por për përkatësinë ndaj …
Pra, s’ka asgjë të çuditshme nëse nevrikoseni kur dikush ju thotë se jeni miqësore, optimiste dhe e paparashikueshme si mamaja juaj. E merrni për keq vetëm ngaqë mendoni se të tjerët duan t’ia heqin meritat kësaj mënyrës tuaj të të qenurit. Çfarë të bëni për t’u ndjerë mirë? Gjëja më e mirë është ta tërhiqni vlerësimin drejt vetes dhe të kuptoni se ajo cilësi nuk është e transmetuar nga familja, por është një dhunti personale .. Ndonjëherë, jemi ne ato që e perceptojmë veten si një pasqyrim besnik i asaj që na ka sjellë në jetë.

Mjedisi rrethues apo gjenet?
A ekzistojnë prova shkencore, që tregojnë se tiparet e karakterit janë të trashëguara? Për momentin e vetmja siguri është se, duke manipuluar gjenetikisht kafshët në laborator, sjellja e tyre rezultoi e ndryshuar. Më saktë, është verifikuar se, duke hequr një gjen specifik tek truri i miut, emotiviteti i tij u pakësua. Në praktikë, kishte më pak frikë.

Nga babai tek vajza
Po tek qeniet njerëzore? Tek njerëzit, sjelljet komplekse kërkojnë ndërhyrjen e më shumë gjeneve, prandaj dhe nuk janë identifikuar gjenet, që ndërhyjnë në këto sjellje. Megjithatë, edhe pse sot mund të thuhet se disa sjellje janë subjekte ndaj aktivitetit të gjeneve specifike, kjo nuk do të thotë që të gjitha gjenet e përfshira në një sjellje transmetohen nga babai tek fëmija. Aq më tepër që, për nga përkufizimi, mënyra e të sjellurit modulohet dhe ndryshohet nga mjedisi rrethues.
Ajo që trashëgojmë është prirja ndaj një mënyre të sjelluri, që bëhet fakt i kryer vetëm në prani të faktorëve mjedisorë të nxitur.

Vula e familjes
Ndonjëherë, vula e familjes mund edhe t’ju vijë për mbarë. Mund të ndodhë që njohja e ngjashmërisë të përjetohet si njëfarë alibie, një mënyrë për të hequr nga vetja përgjegjësitë e një sjelljeje jo shumë shembullore.

Po, mund të ndryshoj
Atëherë, çfarë të bëjmë nëse, për faj të trashë­gimisë apo të një "lidhjeje yjore", e gjejmë veten me një tipar të karakterit, që duam ta zhdukim? Ia vlen të njihet se është fryti i një kushtëzimi dhe të kuptohet se është e meta në vetvete ajo që për­jetohet si një problem, jo fakti se mund të jetë i trashëguar nga nëna apo babai. Dhe të pyesni se çfarë mund të bëni për të ndryshuar. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori