LAJMI I FUNDIT:

Lluka: Në muajin prill të 2020-së fillon zbatimi i marrëveshjes për kontrollin e kufijve energjetikë

Lluka: Në muajin prill të 2020-së fillon zbatimi i marrëveshjes për kontrollin e kufijve energjetikë

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka bërë me dije se marrëveshja për kontrollimin e kufijve energjetikë do të nënshkruhet në muajin dhjetor të këtij viti, kurse zbatimi i saj do të fillojë më 14 prill të vitit të ardhshëm.

Sipas Llukës me këtë Kosova do ta nisë operimin si bllok rregullues në sistemin energjetik të Evropës.


Duke folur për vendimin e Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale (ENTSO-e), të cilët kanë votuar pro pavarësimit energjetik të Kosovës, ai për Epoka e Re, ka thënë se me kontrollin e kufijve energjetikë, Kosova do të aktivizojë linjën e transmisionit me Shqipërinë dhe të hyrat e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) do të rriten 9 deri 12 milionë euro.

“Falë kësaj marrëveshje humbjet nga transmisioni për shkak që nuk i kontrollojmë kufijtë energjetikë shkojnë nga 9-12 milionë euro në vit, e tani kjo procedurë do të rregullohet. KOSTT-i më pas do t’i inkasojë mjetet, por këtu duhet të zgjidhet dhe problemi i veriut në mënyrë që të paguhet energjia nga pala serbe”, ka deklaruar Lluka.

“Pasi operatorët e transmisioneve të Evropës kontinentale kanë votuar pro pavarësimit energjetik të Republikës së Kosovës dhe falë mbështetjes së qeverisë gjermane, Kosova do të pavarësohet energjetikisht dhe linja e interkonjuksionit do të hyjë në funksion më 14 prill 2020, ku Kosova pavarësohet dhe i kontrollon kufijtë energjetikë që do të thotë se Kosova pastaj inkason mjete që kalojnë transit përmes Kosovës dhe po ashtu funksionimin e linjës me Shqipërinë. Ne kemi pasur kërkesë që kjo marrëveshje të implementohet nga 1 tetori 2019, por që është hedhur poshtë ajo kërkesë”, tha Lluka.

Ka disa vjet që Kosova e akuzon Serbinë për ndërhyrje në sistemin energjetik të Kosovës duke mos e njohur pavarësinë e KOSTT.

Në vitin 2015, Kosova kishte nënshkruar marrëveshjen për kyçje të sistemit energjetik të Kosovës në Zonën Sinkrone të Evropës Kontinentale. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar midis KOSTT–it në njërën anë dhe ENTSO-e, por Serbia nuk ka nënshkruar këtë marrëveshje, me çka e ka bërë jo të plotfuqishme atë, ngase kërkohet nënshkrimi i të gjitha vendeve anëtare.

Në fund të muajit qershor të 2019-së, Lluka kishte njoftuar se operatorët e transmisioneve të Evropës kontinentale kanë votuar pro pavarësimit energjetik të Republikës së Kosovës, por edhe kundër ankesës së Serbisë lidhur me këtë çështje, duke i dhënë vulën përfundimtare pavarësimit energjetik. /Telegrafi/