LAJMI I FUNDIT:

Ministri Lluka: Pavarësimi energjetik i Kosovës siguron stabilitet dhe do të gjenerojë të hyra me miliona euro (Video)

Ministri Lluka: Pavarësimi energjetik i Kosovës siguron stabilitet dhe do të gjenerojë të hyra me miliona euro (Video)

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në një intervistë për Telegrafi.com me gazetarin Albert Spahiu, ka folur për vendimin e Operatorëve të Sistemit Transmetues të Evropës Kontinentale, të cilët kanë votuar pro pavarësimit energjetik të Kosovës.

Ai ka thënë se me kontrollin e kufijve energjetik, Kosova do të aktivizojë linjën e transmisionit me Shqipërinë dhe të hyrat e KOSTT-it do të rriten për 10 milionë euro.


“Është një ndër vendimet që i ndihmon vetëm Kosovës por edhe rajonit. Janë disa arsye, ku së pari Kosova ka figuruar si pjesë e Serbisë për sa i përket kufijve energjetikë, ku me pavarësimin e kësaj na i kontrollojmë këta kufij energjetikë, pra për KOSTT-in do të jetë mbi 10 milionë euro që do të gjenerojë të hyra. E dyta është funksionalizimi i transmisionit me Shqipërinë, ku deri tani nuk ka qenë pikërisht që nëse do të kishim aktivizuar, rreth dy deri në tre milionë euro shtesë të hyra do t’i merrte Serbia”, tha ai.

Lluka ka treguar se Kosova do të luan një rol të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor lidhur me krijimin e tregut energjetik.

“Do të aktivizohet Bursa Energjetike, e cila ka qenë peng i mosnjohjes së kufijve energjetikë të Kosovës. Dhe e fundit është krijimi i tregut energjetik rajonal, ku Kosova luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm që është pikërisht në mes të Ballkanit Perëndimor, ku transmisioni i Kosovës luan rrol jetik për këtë marrëveshje”, theksoi ministri Lluka.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka gjatë intervistës për Telegrafi.com

Kosova nga 14 prilli i 2020-së pritet të kontrollojë kufijtë e saj energjetik.

Në këtë intervistë, ministri Lluka ka folur dhe për roamingun dhe krizën në Telekomin e Kosovës. /Telegrafi/