LAJMI I FUNDIT:

Llapi rikthehet te fitorja, i falet të jashtëzakonshmit Daku

Llapi rikthehet te fitorja, i falet të jashtëzakonshmit Daku

Lideri aktual i elitës së futbollit kosovar, Llapi është rikthyer tek fitorja pas disfatës në mesjavë nga Drita 3-1.

Djelmoshat e Tahir Batatinës arritën të triumfojnë me rezultat 1-0 ndaj skuadrës së rikthyer në elitë, Flamurtarit.


Pjesa e parë filloi mirë për llapjanët të cilët rrezikuan nëpërmjet Mirlind Dakut dhe Leart Eminit por pa sukses.

Ndërkohë në anën tjetër Blend Baftiu i Flamurtarit kishte rast të mirë por që nuk arriti të shënoj gol.

Me rezultatin e barabartë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë filloi në mënyrë fantastike për vendasit të cilët arritën edhe golin e epërsisë.

Ishte super talenti gjilanas, Mirlind Daku që shënoi me kokë golin e epërsisë në minutën e 52-të.

Pas kësaj fitore, Llapi vazhdon të mbetet në pozitën e parë në tabelë me 20 pikë të tubuara pas 10 javëve.

Flamurtari kësisoj pësoi humbjen e gjashtë në këtë kampionat dhe zë pozitën e parafundit me vetëm gjashtë pikë.

Në javën e 11-të, Llapi do të udhëtojë në Prizren për tu përballur me Lirinë, ndërsa Flamurtari pret Vëllaznimin. /Telegrafi/