LAJMI I FUNDIT:

Liqeni i Dibrës mbushet me mbeturina plastike

Liqeni i Dibrës mbushet me mbeturina plastike

Reshjet e fundit të shiut e rritën nivelin e Liqenit të Dibrës. Ujërat nga lumenjtë sollën edhe sasi të mëdha të mbeturinave plastike nga deponitë e egra pa leje, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kjo dukuri më shumë vërehet tek fshati Kosovrasti i Poshtëm, tek Ura e Kosovrastit, ku lumi Radika derdhet në Liqenin e Dibrës.


“Kjo dukuri është e pranishme çdo vit në vjeshtë dhe në pranverë kur ka reshje të rrëmbyeshme të shiut. Për fat të mirë, kësaj here sasia e mbeturinave është më e vogël krahasuar me vitet e mëparshme, për shkak se në një pjesë të vendbanimeve nga rajoni i Rekës, Komuna Mavrovë Roshtushë, në mënyrë të organizuar mblidhen mbeturinat dhe transportohen deri te deponia e qytetit të Dibrës”, deklaroi Gazmend Cami, kryetari i Shoqatës Ekologjike nga Dibra “Deshat”.

Për shkak se Liqeni i Dibrës është i vendi i vetëm ku në periudhën e verës freskohen dhe bëjnë rekreacion qindra qytetarë, sektori civil i ndihmuar nga pushteti lokal i Dibrës dhe ndërmarrja komunale “Standard” para fillimit të sezonit verorë turistik rregullisht organizojnë aksione ekologjike për pastrimin e liqenit, megjithatë ambientalistët thonë se kjo nuk është zgjidhje./Telegrafi/