LAJMI I FUNDIT:

Letërkëmbimet e Mid’hat Frashërit

Letërkëmbimet e Mid’hat Frashërit
Mid’hat Frashëri

Nga: Uran Butka

“Një letër (përmbajtjen e së cilës duhet jo vetëm ta ndjejmë, akoma ta shijojmë) për mua është një luks, një dëfrim i mendjes dhe luksi do nge, do qetësi, do një atmosferë të paturbulluar. Luksi i nxituar degjeneron në grotesk. Shkoni dhe shihni qytetin amerikan Alantik Siti, ku harbutëria e një luksi të shpejtë bën një kontrast aq të madh me bukuritë evropiane të shekullit XVII-XVIII”.

Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëngulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë, bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale, largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

Tri janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë përkundër politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë juglindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim; letërkëmbimi kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpërnguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1925; dhe letërkëmbimi erotik, që zgjati thuajse gjithë jetën, ashtu siç zgjati edhe dashuria e tij. Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amshuar, e mbuluar me hirin e jetës.

Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale.

Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.. “Dashuria”, shkruan ai, është “kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.

Letrat e dashurisë mes intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar.

Pyetjes: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të të dashurave të tij. E zhuritur nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër.

Por, Mid’hati zgjedh midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”. Mid’hati i përgjigjet së dashurës Emma: “Ti e di sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur”.

Në letrën drejtuar Elsës, Mid’hati shkruante: “Të dua të lumtur, Elsa. Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie”. Elsa: “Mbase është një marrëzi e madhe dashuria ime për ty, që e do aq shumë lirinë, të udhëtosh, t’i biesh botës qark, te do ndryshimin, jetën pa halle, pa telashe”.

Mid’hati ishte një qytetar i lirë evropian, ndaj përpiqej jo pa dilema, që pasioni dhe jeta familjare të mos ia pengonin dashurinë e madhe ndaj atdheut dhe detyrën ndaj çështjes kombëtare, si edhe të mos lëndonin njerëzit e dashur. Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave që arrijnë në mijëra e mijëra.

Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memorialë, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si: Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I. Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani, Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj.; por edhe me personalitete të shquara të politikës e diplomacisë botërore, si Presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon; kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I. S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqipërisë dhe të Mid’hat Frashërit. Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete të shkencës evropiane si M. Shuflai, G. Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, prof. Meillet, E.Legrand etj.

Letërkëmbimi është hulumtuar dhe nxjerrë në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë etj., kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht. Ky letërkëmbim është ngërthyer te vëllimi VI dhe VII i kolanës Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura, botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Tiranë.

Më poshtë janë disa citate nga letrat e vëllimit VI.

– “Do të qe mirë sikur të mundim të zgjojmë në disa qarqe një jetë intelektuale, një rrojtje me ide të reja, një jetë mendore. Le të përpiqemi t’i prapsim pak shqiptarët nga jeta politike dhe e kafenevet, t’i shtyjmë në studim dhe në merak për çdo send që i përket Shqipërisë dhe shqiptarizmës, se po që nuk zgjuam dot një kult, një adhurim për çdo send, që i përket kombit dhe tokës sonë, nuk mund që të kemi as shqiptarë, as Shqipëri”.

– “Në këtë kohë merkantilizmi materialist, kur fjalët ‘drejtësi’ dhe “barazi” thonë aq pak. Shqipëria është e vendosur të mos e lërë veten të thërret si qingj: ajo do të luftojë; e le të guxojnë mandej të gjithëfuqishmit e botës të pretendojnë se qenka meraku për paqen e rendin, që udhëheq mendimin e tyre!”.

– “Kur Konferenca e Paqes filloi punimet, premtimet e saj të famshme për vetëvendosjen e popujve, për ndreqjen e gabimeve të së shkuarës dhe për fillimin e një epoke drejtësie e ndershmërie, ne shqiptarët besuam se tre të katërtat e territorit dhe të popullsisë shqiptare që i janë shkulur dheut mëmë nga Konferenca e Londrës e vitit 1913, do të na riktheheshin”.

– Por, a mund të themi të njëjtën gjë për vetë qytetarin e lirë?

– “Dhe ja kur tani – në vend të na kthejnë Kosovën, Maqedoninë perëndimore dhe Epirin e jugut – flitet për copëtim edhe të kësaj Shqipërie të vogël të 1913-ës!”.

– “Asgjë të japim nga trupi i vogël i mëmëdheut tonë”.

– “E dini fort mirë se Shqipëria e pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëvet, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër Atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqivet okupuese, e më vonë, kundër fuqivet nacionaliste të gjithë kombit mbarë, q’ishin hedhur në luftë për rifitimin e lirisë dhe të vetqeverimit”.

– “Rrojtja jonë si komb dhe shtet është një gjë prekëse, edhe kur shteti është i dobët, ai duhet të forcohet e të përmirësohet e jo të shembet; edhe kur qeveria e zgjedhur nuk është aq e mirë, duhet përmirësuar, plotësuar apo rizgjedhur me përgjegjësi, po jo duke e përmbysur me rebelim turme”.

– Puna e qeverimit më duket se do të zgjidhej më lehtë me një regjim republikan: ndryshe kena me pas shumë ngatërresa.

– “Kusht i domosdoshëm për zhvillim është puna. Varfëria e Shqipërisë vjen nga të mospunuarit. Nuk do thenë as ishallah, as kemi kohë. Kapitali jo vetëm më i madh, por i vetmi i njeriut, janë puna, mundimi e krahët e ti. Puna të mos jetë dënim dhe mallkim për ne, por uratë dhe gëzim si një falje”.

– “Shqiptarët, të cilët e duan paqen, kërkojnë të kenë marrëdhënie të mira me fqinjët.

– “Popujt e Ballkanit kanë filluar të kuptojnë se ka vetëm një rrugë për të arritur lulëzimin, vetëm një mënyrë për të hequr qafe zakonet e këqija të së shkuarës, sipas së cilave konsiderohej armik çdo popull përtej kufirit. Tani e kuptojnë se një solidaritet me interesa të përbashkëta, solidaritet material e ekonomik, madje edhe moral e intelektual, duhet t’i bashkojë popujt e jo t’i ndajë”.

– “Një ndihmë e vogël shpëton një jetë, gëzon një shpirt, hedh pak lumturi në një zemër”.

– “Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie…”

– “Dashuria është kondita e jetës. Pa atë s’ka rrojtje. Po të mos ekzistojë dashuria, shkatërrohet lidhka mes gjymtyrëve të familjes e të njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka entuziazëm, s’ka as shpresë dhe nuk kryhet asnjë vepër. Entuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë e të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilat e mëngjesit, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen nën rrezet e para të diellit”.