Lufta kundër përhapjes së armëve të vogla dhe të lehta ilegale ka shënuar një hap të rëndësishëm përpara në Shqipëri, falë një investimi të ri teknologjik të mundësuar nga partnerët ndërkombëtarë. Gjatë një ceremonie zyrtare, autoriteteve shqiptare u është dorëzuar një impiant modern i krijuar posaçërisht për çaktivizimin e sigurt të armëve, një projekt ky i udhëhequr nga OSBE dhe i mbështetur financiarisht nga Gjermania, Bashkimi Evropian dhe Franca.

Ky investim vjen në një moment ku siguria rajonale dhe kontrolli i rreptë i arsenaleve ilegale përbëjnë një kusht kyç në luftën e përbashkët ndërkombëtare kundër rrjeteve të krimit të organizuar.


Prania e armëve të vogla ilegale në qarkullim mbetet një rrezik konstant jo vetëm për rendin publik brenda kufijve, por edhe për sigurinë e vendeve partnere në Bashkimin Evropian, ku këto armë shpesh trafikohen.

Gjatë dorëzimit të pajisjeve të reja, Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Thilo Schroeter, vuri në dukje se ky projekt dëshmon një front të bashkuar mes dy vendeve tona:

“Lufta kundër armëve të vogla ilegale është një sfidë e përbashkët për Shqipërinë dhe partnerë si Gjermania. Gjermania, përmes këtij projekti si edhe përmes një bashkëpunimi të ngushtë policor, qëndron në krah të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.”

Projekti i OSBE-së nuk kufizohet vetëm te shkatërrimi fizik dhe nxjerrja jashtë funksionit e armëve të sekuestruara apo të dorëzuara. Ai ofron një paketë të gjerë ndihme që prek drejtpërdrejt operacionet e përditshme të strukturave ligjzbatuese në terren.

Ndër shtyllat kryesore të këtij programi specifikohen:

Përdorimi i impiantit të ri për të garantuar që armët e çaktivizuara të mos ripërdoren kurrë për qëllime kriminale.

Trajnimi dhe furnizimi i strukturave të Policisë së Shtetit me qen nuhatës të specializuar për zbulimin dhe kërkimin e armëve të fshehura apo municioneve në pikat kufitare dhe gjatë aksioneve investigative.

Kjo asistencë gjithëpërfshirëse dëshmon se integrimi i metodave moderne të kontrollit dhe mbështetja teknike e logjistike mbeten rruga e vetme për të minimizuar tregun e zi të armatimit dhe për të rritur standardet e sigurisë në vend sipas parametrave evropianë./rtsh