LAJMI I FUNDIT:

Lekaj: Autostrada e Dukagjinit, projekti më atraktiv që po bëhet

Lekaj: Autostrada e Dukagjinit, projekti më atraktiv që po bëhet

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, bashkë me kryetarin e Komunës së Gjakovës, të martën morën pjesë në dëgjimin publik me qytetarë për autostradën e Dukagjinit.

Lekaj ka siguruar banorët e kësaj komune se ky projekt do të realizohet në bazë të interesave të tyre dhe se çdo shqetësim, sugjerim apo vërejtje e tyre në këtë debat do të merret parasysh, do të analizohet dhe nëse është kompatibil me projektin do të inkorporohet në të.


Ai tha se ky projekt është më gjigant dhe më atraktiv që po realizohet dhe se ky projekt do të realizohet me buxhetin e shtetit pa huamarrje. Vlera e përafërt e këtij projekti do të sillet rreth 590 milionë euro, kurse me shpronësime rreth 1 miliard euro, me financim të ndarë në katër vite qeverisje. Gjakova do t’i ketë tre hyrje-dalje në këtë autostradë, kurse qasja më e afërt e Gjakovës do të jetë në distancë prej 4.1 kilometra.

Pas prezantimit të projektit nga kompania projektuese qytetarët e Gjakovës dhanë komentet e tyre lidhur me të, duke kërkuar që autostrada të bëhet sa më afër qytetit që t’u mundësojë atyre qasje më të lehtë në të.

Gjatë muajit janar ministri Lekaj do të merr pjesë në dëgjimet publike me qytetarë për autostradën e Dukagjinit, në komunat nga do të kalojë ky projekt.

Komunat ku do të mbahen dëgjime publike për autostradën e Dukagjinit janë Rahoveci, Juniku, Deçani, Peja, Istogu dhe Prizreni. /Telegrafi/