Lamine Yamal ka pësuar një dëmtim të rëndë në kofshën e pasme, të cilin e mori në ndeshjen e së mërkurës ndaj Celtës në “Camp Nou”. Sipas raportimeve, ky dëmtim i ka dhënë fund sezonit të tij me Barcelonën, ndërsa objektivi tani është rikuperimi në kohë për të qenë gati me Spanjën në Kupën e Botës.

Talenti i dalë nga La Masia reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e përshkroi momentin si një goditje të rëndë personale.


“Për shkak të këtij dëmtimi, më duhet të bëj një pushim pikërisht në momentin kur doja më shumë të isha në fushë dhe kjo dhemb më shumë sesa mund ta përshkruaj. Më dhemb që nuk mund të luftoj me shokët e skuadrës dhe ta ndihmoj ekipin kur ata kanë nevojë për mua”, shkroi Yamal.

Ai theksoi se do të vazhdojë ta mbështesë ekipin edhe jashtë fushës.

“Por unë besoj tek ata dhe e di që do të japin gjithçka në çdo ndeshje. Do të jem me ta, edhe jashtë fushës, do t’i mbështes dhe do t’i shtyj përpara si një prej tyre. Ky nuk është fundi, vetëm një pushim. Do të kthehem më i fortë, me më shumë dëshirë se kurrë. Faleminderit për mesazhet tuaja dhe Visca el Barça”, shtoi ai.


Mbështetje nga shokët e skuadrës

Postimi i Yamalit mori mijëra reagime brenda pak kohe, ndërsa shokët e skuadrës ishin ndër të parët që i dërguan mesazhe inkurajuese. Mes tyre u përmendën Fermín López, Marc Bernal, Ferran Torres dhe Marc Casadó.

Sipas raportimit, lojtarët e Barcelonës e mbështetën Yamalin që në momentet e para, si në fushë ashtu edhe në dhomën e zhveshjes, ndërsa të enjten në mëngjes ai iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore në qendrën stërvitore të klubit.

Kontrollet konfirmuan dëmtim në muskulin biceps femoris të këmbës së majtë, ndërsa futbollisti do t’i nënshtrohet trajtim konservativ.

Goditje për Barçën në fund të sezonit

Yamal është një nga lojtarët kyç në skemën e trajnerit Hansi Flick, i cili tani duhet ta riorganizojë ekipin për gjashtë ndeshjet e mbetura në La Liga.

Barcelona është shumë pranë titullit, duke qenë nëntë pikë përpara Real Madridit, ndërsa “El Clásico” është planifikuar për 10 maj në “Spotify Camp Nou”.

Pavarësisht mungesës në fundin e sezonit me Barcelonën, pritjet janë që Yamal të mund të rikuperohet në kohë për të qenë i gatshëm me Spanjën në Kupën e Botës. /Telegrafi/

telegrafi sport app