LAJMI I FUNDIT:

Kush është krimineli Vlado Zmajeviq, që u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e tre anëtarëve të familjes në Gjilan

Kush është krimineli Vlado Zmajeviq, që u dënua me 14 vjet burg për vrasjen e tre anëtarëve të familjes në Gjilan

Mali i Zi e dënoi sot një nga kriminelët e luftës që u zhvillua në Kosovë. Shtetasi malazez Vlado Zmajevic, u dënua me 14 vjet burg për krime lufte në Kosovë, pasi më 30 mars të vitit 1999 në fshatin Zhegër të Gjilanit, vrau tre anëtarë të familjes Haziri, Milazimin, Qazimin dhe gruan e tij, Qamilen.

Të dhëna për krimet e kryera në atë kohë, por edhe për të dënuarin Vlado Zmajeviq, pati edhe Fondi për të Drejtën Humanitare.

Drejtori i Fondit, Bekim Blakaj, ka treguar rreth të dhënave që i posedojnë në bazë të hulumtimeve të kryera në teren.

Në bazë të hulumtimeve në teren Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka ardhur deri tek dëshmitë e dëshmitarëve okularë të cilët kanë rrëfyer mbi krimet e kryera në fshatin Zhegër.

Bekim Blakaj, tregoi për Express se “në bazë të këtyre dëshmive është dokumentuar se me datë 29 dhe 30 mars të vitit 1999, përveç të tjerëve, janë vrarë edhe Shyqëri Tahiri (1956), Qamile Haziri (1944), Qazim Haziri (1936), Milazim Idrizi (1934), Miradije Ukshini (1928) dhe Ukshin Ukshini (1928)“.

I vrarë në këtë mes është edhe Ymer Kadriu, i vitit të lindjes 1946, përderisa ishe duke ruajtur bagëtinë në fshatin Dunav, komuna e Gjilanit.

Blakaj, gjithashtu tregoi se nga kishte ardhur Vlado Zmajeviq dhe përfundoi duke kryer krime në Kosovë.

“Sipas të dhënave që FDH Kosovë i posedon, Vllado Zmajeviq është qytetar i Malit të Zi dhe ai ka jetuar në Nikshqi. Ai në fshatin Zhegër, komuna e Gjilanit, ka ardhur në fund të Marsit 1999 si pjesëtar/ vullnetar me brigadën e motorizuar nr. 175 të ushtrisë së Jugosllavisë, ku i ka kryer krimet për të cilët është dënuar sot”, ka thënë drejtori i Fondit.

Pas dyshimeve për krime luftë në Kosovë, policia malazeze arriti ta arrestonte 47-vjeçarin nga Nikshiqi në vitin 2016.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Malit të Zi, pretendonte se në vitin 1999, Zmajeviq vrau tre persona me një armë zjarri dhe vrau një femër me një thikë. Në bazë të akuzave të ngritura nga kjo Prokurori, malazezi u dënua sot me 14 vjet burg.

E Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj tha se aktgjykimi i sotëm nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës së Lartë në Podgoricë është për çdo lëvdatë.

“Kjo gjykata ka proceduar me një proces të komplikuar dhe atë e ka përfunduar. Nga ana tjetër, posaçërisht duhet përshëndetur këtë Gjykatë sepse ka proceduar një qytetar të Malit të Zi për krime të kryera në Kosovë, pra ka sjellë drejtësi për viktimat e një shteti tjetër”, ka thënë ai.

Blakaj tha se kjo dëshmon se bashkëpunimi juridik rajonal mund të jetë shumë efikas në sjelljen e drejtësisë për viktima dhe në luftimin e mosndëshkueshmërisë.

Në shpjegimin e aktgjykimit nga kryetari i trupit gjykues, Dragoje Jovovic, deklaroi se dëshmitë e paraqitura padyshim se “vërtetuan se krimet e luftës janë kryer, pasi për ato kanë dëshmuar dëshmitarët, por edhe vetë i akuzuari e ka pranuar në fazën e parë hetimore, por më vonë i ka mohuar ato deklarata”.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori