ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Ministri në detyrë i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i është kundërpërgjigjur ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviq, pasi ajo deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Hoti tha se kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën, por edhe dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit.


"Babai yt ideologjik, Millosheviqi, provoi të njëjtën gjë në Kosovë. Përfundoi para drejtësisë ndërkombëtare, ndërsa Serbia u largua nga Kosova me bisht ndër shalë. Përgjigjja e popullit të Kosovës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e botës demokratike dihet. Kosova mbeti e lirë. Millosheviqi përfundoi si kriminel lufte dhe sot han dhe. Të njëjtin fat do ta kishe edhe ti, dhe do ta kesh sa herë që tenton. Kushdo që sot bën thirrje për spastrim etnik nuk është vetëm kërcënim për Kosovën. Ai është dëshmi se Serbia ende nuk është çliruar nga ideologjia gjenocidale e Millosheviqit dhe nga politika kriminale që solli luftëra, masakra dhe turp historik", ka shkruar Hoti në Facebook".

Ndryshe, Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, ka deklaruar se po të kishte qenë në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.

Këto deklarata ajo i ka bërë gjatë një interviste në televizionin serb “Kurir”.

“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë. Jo në mënyrën se si po duan ata të na likuidojnë neve, por në atë mënyrë që të mos ndihen pjesë e Serbisë dhe të shkojnë në shtetin e tyre amë”, ka thënë ajo.