Ligji për Financimin e Partive Politike, duhet të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe duhet të ofrojë transparencë maksimale, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të diskutimit publik për projektligjin për Financimin e Partive Politike.

Ai u shpreh se zgjedhjet, baza e demokracisë, varen nga një elektorat i mirinformuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve.


“Të njëjtat, nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën”, tha ai.

ZKP ZKM 14 12 2021 1

Kryeministri tha se Qeveria vërtet shpreson që në këto parime të kemi konsensus ndërpartiak, sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve, e më pastaj edhe qeverisja, të përcaktohen nga korporatat.

“Transparenca e financimit duhet të konsiderohet qenësore”, tha Kurti, duke theksuar se demokracia e transparenca në institucione e shoqëri e pësojnë rëndë kur këto vlera mungojnë nëpër partitë politike, në fushatat zgjedhore apo edhe jashtë tyre.

ZKP ZKM 14 12 2021 6

“Për këtë edhe jemi mbledhur sot këtu, ashtu që së bashku t’i japim drejtim të duhur projektligjit për financimin e partive politike e të konsiderojmë formën më të mirë për këtë, ashtu që dispozitat e hartuara të tregojnë që konsensusi politik në Republikën e Kosovës ndërtohet mbi vullnetin e përbashkët për transparencë, llogaridhënie e luftim të korrupsionit”, tha ai ndër të tjera. /Telegrafi/