Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kandidati për kryeministër nga kjo parti, mbrëmë në Paris ka takuar tre këshilltarët e Presidentit Francez, Emmanuel Macron.

Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se që të tre i kanë uruar për fitoren në zgjedhje dhe se me ta ka biseduar për avansimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve.

Ndër të tjera Kurti ka shkruar se atyre u ka shpjeguar synimet që do të ketë qeverisja e ardhshme si reforma në drejtësi, zhvillimi ekonomik e progres shoqëror.

“Mbrëmë në Élysée, takova tre këshilltarë të Presidentit Francez, z. Emmanuel Macron: Këshilltarin për Evropë dhe G20, z.Clément Beaune, Këshilltarin zëvendës përgjegjës për Evropë, z.Alexandre Adam, si dhe Këshilltarin për Çështje Startegjike, z. Etienne de Gonneville. Më uruan për fitoren në zgjedhje, i falenderova për përkrahjen dhe ndihmën e Francës për Republikën e Kosovës dhe biseduam për avansimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve tona. Shpjegova ndryshimin e madh politik në Kosovë me zgjedhjet e 6 tetorit, për synimet tona që këtë vullnet të qytetarëve ta bëjmë reformë të drejtësisë, zhvillim ekonomik e progres shoqëror. Diskutuam edhe për situatën politike në Ballkan, nevojën për raporte të mira fqinjësore midis shteteve dhe demokratizimin e tyre të brendshëm”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe Kurti ka takuar edhe, kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Asamblenë Nacionale të Francës, Marielle de Sarnez, të cilën e ka njoftuar edhe për zhvillimet në vend dhe rajon si dhe për programin qeverisës./Telegrafi/