Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmi i sotëm me armë zjarri ndaj Policisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit, është duke u hetuar.

Ai ka bërë të ditur se njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) në Zubin Potok, është qëlluar rreth 10 herë sot, derisa po bëheshin gati për një kontrollë rutinore me barkë në Liqenin e Ujmanit.

Policia e Kosovës sulmohet me armë në Liqenin e Ujmanit Policia e Kosovës sulmohet me armë në Liqenin e Ujmanit

“Kjo është hera e dytë në më pak se një javë që Policia e Kosovës sulmohet nga bandat kriminale në pjesën veriore të territorit tonë, vetëm gjashtë ditë pas incidenteve të së dielës”, ka shkruar kreu i ekzekutivit në Facebook.

“Fatmirësisht, shpëtuam pa viktima dhe tani po zhvillohet një hetim i plotë për këtë rast. Sot, në rrugë nuk ka barrikada”, ka shtuar Kurti.

Por, siç ka thënë, bandat kriminale vazhdojnë të barrikadohen kundër institucioneve të Kosovës të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai ka thënë se grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të pengojnë apo ndalojnë Policinë të kryejë detyrat e saj brenda vendit të vet.

“Rreth 10 herë sot është shtënë drejt zyrtarëve të policisë kufitare derisa ata po kryenin detyrën e tyre zyrtare, kontrolle rutinë në Liqenin e Ujmanit. Grupet ilegale serbe të cilat tashmë po mbrohen dhe mbështeten edhe publikisht nga struktura të caktuara serbe, po bëjnë përpjekje maksimale të na pengojnë apo ndalojnë të kryejmë detyrën tonë brenda vendit tonë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Tutje, ka shtuar se gjuajtja me armë drejt zyrtarit policor është sulm ndaj institucionit kryesor të shtetit.

“Për më pak se 1 javë, 2 herë strukturat kriminale kanë shtënë drejt zyrtarëve policor për t’i penguar ose për t’i vrarë ata. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha kapacitetet tona që t’i kryejmë detyrat tona që na obligon ligji e Kushtetuta jonë. Për asnjë kusht nuk do të tërhiqemi nga e drejta jonë, pavarësisht çdo sulmi të organizuar apo orkestruar nga kriminelë që ju pengon puna jonë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/