LAJMI I FUNDIT:

Kurti: Kemi rritur përkrahjen financiare për perime në sera dhe në fushë

Kurti: Kemi rritur përkrahjen financiare për perime në sera dhe në fushë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ‘’Festivalin Ndërkombëtar të Domateve’’ tashmë tradicional në Komunën e Mamushës, qē ka për qëllim stimulimin e prodhimeve bujqësore e veçanërisht prodhimin e domateve.

Kurti tha se është i kënaqur që ishte sot në Mamushë, në komunën e cila është shembull për nga veprimtaria bujqësore dhe jo vetëm.


‘’Më shumë nga nostalgjia sesa nga varfëria domatja ka qenë edhe një burim i vlerave ushqyese, ku si fëmijë as uria nuk na ndante nga loja’’, u shpreh kryeministri Kurti.

“Si qeveri e Republikës së Kosovës përmes programeve mbështetëse kemi rritur përkrahjen për perime, qoftë në sera apo në fushë të hapur, përmes mbështetjes financiare në kuadër të programit të pagesave direkte apo subvencione, dhe se me këtë mbështetje synojmë përmirësimin e bilancit tregtar tek importi i perimeve duke i mbrojtur prodhuesit tanë vendorë dhe produktet e tyre”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Më tej, kryeministri veçoi se si qeveri kemi treguar se sa me prioritet e kemi këtë sektor, ku përveç rritjes së buxhetit për bujqësinë këtë vit për herë të parë mbulojmë vlerën e akcizës së naftës me 54 euro për hektar, për çdo kulturë bujqësore përfshirë perimet.

Komuna e Mamushës, siç tha kryeministri, është pjesa e mozaikut që plotëson dhe jep vlerë të shtuar bujqësisë në Kosovë, duke qenë një shembull që duhet ndjekur nga të gjithë.

“Vullneti e përkushtimi për ta punuar tokën sjellë si rezultat prodhime cilësore dhe kjo është çka e karakterizon Mamushën”, tha ndër tjera ai.