Fermerët dhe “Vita” para AUV-it - kërkojnë publikimin e rezultateve të analizave të qumështit brenda ditës


Përfaqësues të fermerëve dhe të kompanisë së qumështit “Vita” kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të publikojë sa më parë rezultatet e analizave të qumështit të kësaj kompanie.
Në një konferencë për media të mbajtur para objektit të AUV-it, ata insistuan që rezultatet të bëhen publike gjatë ditës së sotme, duke thënë se nuk ka arsye për vonesa të mëtejshme.
Fermeri Elvir Uka deklaroi se kërkesa e tyre është në përputhje me dakordimin e arritur me Ministrinë e Bujqësisë dhe se nuk po kërkojnë asgjë përtej asaj marrëveshjeje.
Ndërkaq, përfaqësuesi i qumështores “Vita”, Kushtrim Tigani tha se ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja gjatë një takimi u kishte bërë të ditur se rezultatet e analizave do t’i pranonte më 10 korrik, ndërsa publikimi i tyre do të bëhej në një konferencë për media pas tre ose katër ditësh.
“Pas shumë përpjekjeve për të kontaktuar kryeshefin e AUV-it dhe ministrin Muja, nuk kemi marrë asnjë përgjigje. I kemi edhe email-et që ua kemi dërguar për të kërkuar takim, por nuk jemi pranuar. Për këtë arsye kemi vendosur të dalim publikisht dhe të flasim vetëm të vërtetën. Si përfaqësues të ‘Vita-s’ dhe së bashku me fermerët jemi dakorduar që të rifillojmë grumbullimin e qumështit nga fermerët. Le t’i publikojnë rezultatet. Ministri më ka thënë se rezultatet do t’i marrë më 10 korrik dhe se është i obliguar t’ia përcjellë qumështores, ndërsa për publikimin në konferencë i duhen edhe tri deri në katër ditë për t’i përpunuar”, deklaroi Tigani. /Telegrafi/




































