Në kulmin e sezonit të korrje-shirjeve, bujqit në vendin tonë po përballen me krizë në grumbullimin e rendimenteve. Shumë mullinj po refuzojnë ta pranojnë grurin, çmimi i të cilit ka rënë në 16 deri në 18 centë për kilogram, vlerë kjo që nuk i mbulon as kostot e larta të prodhimit.

Kombajnat dhe makineritë përcjellëse të procesit të korrje-shirjes nuk po arrijnë të punojnë me kapacitet të plotë, pikërisht në kohën e sezonit. Disa mullinj nuk po e pranojnë grurin nga fermerët, duke u arsyetuar me mungesë të hapësirave për deponim.


“Dje e kam lutur vetëm t’i them: ‘Të lutem, se ka nisur njëfarë shiu të bjerë’. Vinte prej Lipjanit dhe më tha se nuk kam ku ta lë, i kam 10-15 hektarë, nesër kam për të filluar dhe nuk kam ku ta dërgoj. Nuk mundem të të bëj zgjidhje. Këto janë ato që po na rëndojnë, sepse nuk kemi ku ta plasojmë”, tha Behgjet Kongjeli, fermer nga Janjeva.

“Ne nuk kemi ku ta deponojmë grurin dhe u detyruam ta ndërpresim punën. Më mirë le të qëndrojë në arë, sepse nuk kemi ku ta lëmë. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Sa i përket çmimit, disa e marrin 18, disa 17 e disa 16 centë, por në fund nuk po e shikojmë vetëm çmimin, por të kemi ku ta largojmë nga ara dhe ta deponojmë”, tha Fitim Gashi, kombajner.

“Më duhet ta zbraz diku në oborr për ta larguar nga ara. Kjo është zgjidhja e fundit. A është zgjidhja e duhur? Jo, por nuk ke çfarë të bësh, duhet të gjesh një mënyrë”, tha Sadik Gashi, fermer nga Akllapi i Lipjanit.

“Momentalisht jam duke pritur për shkak të pranimit. Le ta gjejnë një zgjidhje, sepse njerëzit po presin me ditë të tëra, duke shkuar herë te njëri mulli e herë te tjetri, por nuk po ua pranojnë. Nuk po mund ta kuptoj këtë situatë. E kam ndërprerë punën me kombajnë dhe kam edhe 7 hektarë të miat për t’i korrur, por as vetë nuk e di ku do ta dërgoj grurin”, shtoi Ferat Gashi, kombajner.

Ministria e Bujqësisë, përmes pagesave direkte, synon nxitjen e fermerëve për rritjen e prodhimit vendor. Megjithatë, mungesa e hapësirave për grumbullim po vazhdon t’i sfidojë bujqit, të cilët kërkojnë veprime institucionale për mbrojtjen dhe përkrahjen e prodhimit vendor./RTK