LAJMI I FUNDIT:

Kurthimi i “gardianit” të Kushtetutës

Kurthimi i “gardianit” të Kushtetutës

Më pak se nga një muaj mandat u kanë mbetur tre gjyqtarëve ndërkombëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Më 15 qershor, nëse nuk ndodh ndonjë e papritur, ata duhet t’i paketojnë gjërat personale dhe ta lirojnë institucionin, që ndryshe njihet si gardian i Kushtetutës. Parimisht, amerikani Robert Carolan, portugezi Almiro Rodrigues dhe bullgarja Snezhana Botusharova-Doicheva, do të duhej që t’i lironin zyrat qysh para dy vjetësh, por nuk e bënë këtë pasi që vendësit u përkujdesën që t’ua zgjasin qëndrimin.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe shefi aktual i Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zhbogar, të cilët u përfshinë në këtë proces, nuk u merakosën për respektim të normave kushtetuese që ishin dhe de jure vazhdojnë të jenë ende në fuqi. I pari e shpërfilli Kuvendin e Kosovës dhe kërkoi drejtpërdrejt nga dy ish-zyrtarët e lartë të BE-së, baronesha Catherine Ashton dhe Jose Manuel Barroso, që t’u vazhdohet mandati kolegëve ndërkombëtarë, me pretendimin e ruajtjes së “memories së gjykatës”, pa çka se dy vite më herët ishin hequr provizionet kushtetuese që u jepnin të drejtë të emëruarve të huaj për ta vazhduar punën në institucionet vendëse. E dyta e ndoqi rrugën e Hasanit dhe mandatin e treshes e futi në paket me mandatin e EULEX-it, pa çka se Gjykata Kushtetuese as nuk është gjykatë e rregullt e as nuk ka gjë të bëjë me misionin për sundimin e rendit dhe ligjit. Dhe, i treti e përligji kthimin e mbikëqyrjes së pavarësisë, duke e konsideruar të nevojshëm vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë, pa çka se në shtator të vitit 2012 në Prishtinë ishte festuar pavarësia e plotë e shtetit.


Rrjedhimisht, Kuvendi i Kosovës, në prill të 2014-s vendosi në favor të zgjatjes së mandatit të EULEX-it e me këtë edhe të gjyqtarëve kushtetues.

Kaluan shpejt dy vjet, askush nuk dha llogari, u morën shumë vendime me peshë nga ky institucion dhe ja ku jemi tash sërish.

Me ligj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, qysh në fillim të vitit është dashur ta njoftojë kryetarin e Kuvendit, (gjë që besoj ta ketë bërë) se tre gjyqtarëve ndërkombëtarë u skadon mandati më 15 qershor. Kryeparlamentari do të duhej t’i hapte rrugë administratës së Kuvendit për të shpallur konkurs për tre gjyqtarë të rinj (kuptohet vendës) dhe kështu të nisnin procedurat për zgjedhjen e kandidatëve potencialë për këto pozita.

Por, fakti që Kuvendi nuk ka hapur konkurs deri më sot, lë të kuptohet se diçka nuk është në rregull dhe se në lojë vazhdon të jetë prapë Zyra e Bashkimit Evropian.

Se a do të insistohet prapë që mandati i treshes ndërkombëtare të futet në paket me mandatin e EULEX-it, (gjë që ka gjasa të mëdha të ndodhë) do të mësohet shumë shpejt, ama në secilin variant, çdo tendencë për ta bërë një gjë të tillë nuk do të jetë në harmoni me Kushtetutën. Bile, tash situata është edhe më e ndërlikuar.

Autoritetet vendëse dhe ato të BE-së ende nuk e kanë qartësuar se ç’kanë menduar me Nenin 24 të Ligjit për Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, i cili e përcakton që kjo dhomë të përbëhet nga tre gjyqtarë ndërkombëtarë kushtetues, plus një gjyqtar kushtetues rezervë. Pra, ende nuk dihet se: A do të emërohen tre gjyqtarë të rinj ndërkombëtar për t’u marrë ekskluzivisht me rastet që ndërlidhen me Gjykatën Speciale; a do t’u ngarkohet kjo punë gjyqtarëve aktualë ndërkombëtarë; apo, gjyqtarët e tashëm ndërkombëtarë do t’i lirojnë pozitat për vendësit dhe nuk do ta marrin përsipër asnjë detyrë tjetër në kuadër të Gjykatës Kushtetuese.

Në anën tjetër, duhet marrë parasysh edhe faktin tjetër se Qeveria, Kuvendi e Presidenca, sivjet janë përkujdesur që t’i plotësojnë vendet e përfaqësuesve ndërkombëtarë nëpër borde e agjenci të pavarura, gjithnjë duke u thirrur në pakon e ndryshimeve për tejkalim të mbikëqyrjes së pavarësisë.

Në mesin e këtyre emërimeve është edhe ai i Besnik Osmanit në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm. Osmani, si pasues i Lage Olofssonit, është i pari auditor vendës. Sikur të veprohej në kohë njësoj edhe me gjyqtarët ndërkombëtarë si me atë të auditorit, do të kishte qenë më me vend. Së paku do të korrigjohej një shkelje e mëhershme. Por tash është vonë. Procedurat për zgjedhje të gjyqtarëve marrin kohë me muaj dhe s’ka asnjë gjasë teorike e as praktike që ato të kryhen para 15 qershorit.

Zyra e Bashkimit Evropian, presidenti i Kosovës, e as Kuvendi s’është mirë të lëshohen në aventurën e radhës për ta bërë treshen e gjyqtarëve ndërkombëtarë të përjetshme në Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se “gardiani” i Kushtetutës, aktualisht është kurthuar dhe më 15 qershor mund të mbetet pa tre gjyqtarë. Nuk është mirë të vazhdohet praktika e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që nuk janë në harmoni me Kushtetutën.

Fundja, pse duhet vazhduar shkeljet në emër të bartjes së sovranitetit!