LAJMI I FUNDIT:

“Kurrë s’ka parë historia, që të vijë ne Shqipëri, një udhëheqës kaq i ndritur, si Hrushovi dhe shokët e tij”!

“Kurrë s’ka parë historia, që të vijë ne Shqipëri, një udhëheqës kaq i ndritur, si Hrushovi dhe shokët e tij”!

Në 20 maj 1959 shtypi në Republikën Popullore të Shqipërisë njoftoi me bujë të madhe për vizitën zyrtare dhe miqësore, të planifikuar për 13 ditë, të një delegacioni të zgjeruar e të nivelit më të lartë të Partisë Komuniste dhe të Qeverisë së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, i kryesuar nga Hrushovit (Nikita Sergeyevich Khrushchev).

“Zëri i popullit”, organi më i rëndësishëm i shtypit shqiptar të atyre viteve, i rezervonte kësaj vizite 2-3 faqe çdo ditë. Në adresë të Nikita Hrushovit shtypi emetoi një inflacion të padëgjuar më parë lëvdatash superlative si: “miku më i madh dhe më i shtrenjtë i popullit shqiptar”, “miku më i shtrenjtë e më i dashur” etj.


Ndërsa, vizita e tij karakterizohej si “një ngjarje e shënuar në historinë e popullit shqiptar”, si një festë e madhe popullore, strukturat partiako-shtetërore të propagandës së shtetit shqiptar, vunë në lëvizje gjithë mekanizmat, jo vetëm të publicistikës, por edhe të krijimtarisë artistike.

Në rubrikën “populli i këndon kësaj ngjarje të shënuar” u botuan shumë krijime folklorike. Një poezi popullore, me gjuhe lakonike e karakterizoi vizitën e delegacionit sovjetik si të paparë në historinë e vendit të vogël të shqiptarëve dhe Nikita Hrushovin si udhëheqës të shkëlqyer: “Kurrë s’ka parë historia / Që të vijë ne Shqipëri / Një udhëheqës kaq i ndritur / Si Hrushovi dhe shokët e tij”!

Jo vetëm kjo, por në një poezi me 42 vargje, një poet punëtor e hyjnizoi aq shumë misionin e delegacionit sovjetik, sa e paraqiti atë gati si përcaktues të relievit e të klimës, të florës dhe faunës së Shqipërisë.

Gjithashtu, për këtë vizitë u botuan në gazetën “Zëri i Rinise” tri këngë dhe një në gazetën “Pionieri”. Delegacioni vizitoi qytetet kryesore të Shqipërisë, nga Shkodra deri ne Butrint, i shoqëruar nga drejtuesit kryesorë të partisë.

Në çdo qytet që vizitoi delegacioni sovjetik u organizuan mitingje masive. Në fjalinë që mbanin në këto mitingje, drejtuesit shqiptarë dhe ata sovjetikë hidhnin parulla për miqësinë e pathyeshme shqiptaro-sovjetike. Mitingjet përgjithësisht i karakterizonte një nivel i lartë entuziazmi popullor.

Perëndimi ishte i shqetësuar për këtë gjë. Që në mitingun e parë të organizuar në Shqipëri, Hrushovi tha fare hapur: “ Në qoftë se qeveritë e Italisë dhe Greqisë i lejojnë amerikanët të krijojnë baza për lëshimin e raketave në territorin e tyre, atëherë edhe ne do të detyrohemi të merremi vesh me Shqipërinë që edhe këtu të krijohet diçka kundër tyre”.

Si Shqipëria, ashtu edhe Hrushovi, në këto mitingje shprehën se nuk ka ndryshime mes tyre, marrëdhëniet që janë krijuar janë shumë të mira.

Përmes komunikimit joverbal përcilleshin mesazhe të tjera, të kundërta në krahasim me ato që përcilleshin me fjalën e folur dhe të shkruar. Në vijim po parashtrojmë disa prej këtyre mesazheve:

1. Mitingu i parë u zhvillua në sheshin përpara kombinatit të tekstileve “Stalin”. Ky kombinat tekstilesh ishte jashtë periferisë së Tiranës, simbolikisht kjo do të thoshte se marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike nuk përbënin dhe nuk do të përbënin më hallkën qendrore të marrëdhënieve, por do të kalonin në zona jashtëperiferike.

2. Ky miting i parë u zhvillua në sheshin “Stalin”, ku qëndronte hijerëndë monumenti i Stalinit, i veshur me rroba ushtarake. Partia e Hrushovit e kishte anatemuar politikisht e moralisht Stalinin. Në ish-Bashkimin Sovjetik ishin marrë masa për të shkatërruar bustet e Stalinit.

Ndërkohë, në Shqipëri, Nikita Hrushovi dhe delegacioni u detyrua të kalonte nën hijen e shtrirë të dorës së tij të djathtë. Kjo gjë, ishte një provokim i hapur që Shqipëria i bëri atij, por jo vetëm. Kjo gjë dëshmonte simbolikisht edhe për vijën politike që ndiqte dhe do të ndiqte më pas udhëheqja e partisë së shtetit shqiptar.

3. Perëndimorët, si dekodues profesionistë, merrnin mesazhin që politika e Partisë së Punës së Shqipërisë sa më shumë ecte në binarët e dogmatizmit stalinist, as më shumë largohej nga realpolitika hrushoviane. Kjo gjë binte vetëm në kurriz të popullit shqiptar.

4. Në 28 maj 1959, delegacioni sovjetik vizitoi Shkodrën. Këtë ditë mbërriti në Tiranë një delegacion ushtarak kinez. Ndërkohë që delegacioni sovjetik vizitonte qytetet periferike, delegacioni kinez e zhvillonte veprimtarinë e tij në kryeqytet.

Simbolikisht kjo do të thoshte se për të ardhmen, në qendër të interesave të shtetit shqiptar nuk do të ishin më si më parë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, por me Kinën. Kjo u vërtetua në 20 vitet e mëvonshme.

Vizita e delegacionit sovjetik, jo vetëm që nuk u zgjat apo nuk i përmbushi 13 ditët e përcaktuara publikisht e zyrtarisht, por përfundoi dy ditë më parë. Simbolikisht kjo tregonte se në marrëdhëniet mes palëve ishte thyer dicka shumë e rëndësishme.

Në fakt, në fjalët e Hrushovit, kur u largua nga aeroporti i Rinasit, apo në fjalimin e përcjelljes së tij që u mbajt nga Enver Hoxha, nuk viheshin re shenja të mosmarrëveshjeve, të konflikteve të ashpra që po thelloheshin.

Në çastin e largimit të Hrushovit nga aeroporti i Rinasit, Enver Hoxha bëri me dorë një gjest që interpretohet se ai shpëtoi nga një e keqe e madhe që tashmë po largohej. Lidhur me këtë, përkthyesi i Hrushovit gjatë kësaj vizite, Agim Popa thekson:

“Atë ditë unë u nisa herët për në Moskë. Atje, për vizitën e tij në Shqipëri u përgatit një dokumentar. Gjatë një seance pune për filmin, kur po shiheshin sekuencat e përcjelljes së Hrushovit në aeroport, regjisori i filmit, i cili si dhe unë, nuk ishim në dijeni për fërkimet e brendshme të tyre. Ai tha: ‘Nuk më pëlqen paraqitja e figurës së shokut Enver në momentin e nisjes së avionit. Ai bëri një gjest sikur u çlirua nga diçka’”.

Pra, në kundërshtim me komunikimin gojor apo me shkrim të kësaj vizite të gjatë, komunikimi joverbal përmbante komplet tjetër gjë. Krerët kryesorë të Partisë së Punës e të shtetit shqiptar ishin shumë të interesuar t’u përcillnin politikanëve të shteteve perëndimore mesazhet e analizuara sipër. Ata do të ndiqnin të njëjtën politikë sikurse edhe Stalini. /Konica.al/

Në trend Kultura

Më shumë
“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

“Liria e së nesërmes”: A e njeh ky njeri rrugën e paqes mes Izraelit dhe Palestinës?

Kulture
Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”, fytyrë apo maskë

Fuqia dhe utopia e një “bote me besë”, fytyrë apo maskë

Kulture
Mbijetesa e poezisë

Mbijetesa e poezisë

Fjala+
Dhjetë vjet vetmi: Bota letrare, një dekadë pa Marquezin

Dhjetë vjet vetmi: Bota letrare, një dekadë pa Marquezin

Kulture
Pushtimi i Beogradit me vetëm shtatë ushtarë gjermanë

Pushtimi i Beogradit me vetëm shtatë ushtarë gjermanë

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
Kalo në kategori