LAJMI I FUNDIT:

Kur Xhevdeti fliste me Agronin

Kur Xhevdeti fliste me Agronin
Fadil Bajraj, Agron Shala dhe Xhevdet Bajraj (Foto: Berat Dakaj - Armagedoni, 2019)

Nga: Vjollca Bajraj

Agronin në fillim e kam njohtë veç si emër, kur Xhevdeti fliste me të pasditeve të vona e nganjëherë deri natën vonë.


– Me kë flet kaq shumë – e qortoja unë, se vija nga puna dhe doja qe ai të kalonte pasditen me mua!

– Me Agron Shalën – më thoshte – është djalë shumë i mirë, inteligjent, nuk i përket masës, merret me muzikë, me shkrime etj.!

Ma merrte mendja se diçka të veçantë kishte gjetur Xhevdeti tek Agroni, se përndryshe nuk do të humbte aq shumë nga koha e tij e vlefshme dhe nga koha ime që të fliste ai me dikën.

Pastaj, me kalimin e kohës, kur kthehesha nga puna dhe ai ishte duke folur (duke u shkruar, se nuk donte të më pengonte mua) me Agronin, unë as nuk i thosha asgjë, veçse merrja qentë dhe dilja në shëtitjen e pasdites që e bënim çdo ditë bashkë me Xhevdetin. D.m.th., e sakrifikoja shëtitjen time me të. Dilja veç me qentë, sepse e shihja që Xhevdeti fliste me emocion e me shumë humor me Agronin, gjë që nuk ndodhte me njerëzit e tjerë.

Kisha dëshirë ta njihja këtë djalë që shpesh mi merrte pasditet me Xhevdetin!

Po si është e mundur që flet me dikën nga Kosova, kur tash atje duhet të jetë ora 3:00 e mëngjesit?

– Oh, ai është i ‘çmendur’ si unë, nuk fle gjithë natën – me përgjigjej Xhevdeti dhe qeshte.

– I thuaj Agronit se erdh Vjollca dhe hidhërohet shumë nëse pasditeve flas me dikën; bisedat me shokë kryhen kur ajo është në punë, pasditet janë tonat! Dreka, çaji, shëtitjet me qentë, shikimi i ndonjë filmi të mirë me ndonjë gotë verë të kuqe etj.! – reagoja unë!

Pastaj, me kalimin e kohës, kur unë mbërrija në shtëpi, Xhevdeti – nëse ishte me Agronin – veç fillonte të qeshte dhe i thoshte: “Agron erdhi Vjollca”! Pas disa minutave – shumë minutave – e mbaronin bisedën!

Verën e fundit që isha me Xhevdetin në Kosovë (më 2021), e njoha Agronin. Ishte një takim i shkurtër dhe biseda e thjeshtë me shaka: “Vjollcë, qe ku e ke Agronin, bërtiti pra! Ky është ai djali që s’po më lë m’i shëtitë qentë me ty, hahaha…”!

Dhe, më nuk pata fatin që të rrija me Agronin, bashkë me Xhevdetin!

E takova Agronin në funeralin e Xhevdetit, pastaj në orën poetike që u organizua për Xhevdetin në “Soma Book Station”. E kërkova Agronin mes njerëzish dhe u ula të bisedoj me të, me njeriun që Xhevdeti fliste aq shumë kohëve të fundit. Vazhdoj të shkruhem me të, herë pas here, se më duket sikur e vazhdoj traditën e atyre ditëve e netëve të bukura! Tash e kuptoj pse Xhevdeti fliste aq shumë me të! Agroni ka një diapazon të gjerë diturie; ka një bagazh të jashtëzakonshëm të informatave, një inteligjencë si pakkush, dhe përveç krejt këtyre vlerave, ai është njeri shumë i mirë, njeri që është në gjendje të qajë me ty kur ke dhimbje, njeri që i dëgjon vuajtjet tua dhe të jep kurajo, mundohet ta zvogëlojë dhimbjen duke e marrë një pjesë për vete! Agroni vazhdon të jetë shok i veçantë i yni!

Dorëshkrimin e Agronit “1981 (vidhe këtë libër)” nisi ta lexojë Xhevdeti, por e përfundova unë! E di se ai do të kishte shkruar për këtë libër në mënyrën e tij, gjë që unë jam e paaftë ta bëj, por ky është një kujtim për Xhevdetin dhe shoqërinë me Agronin!

Agroni e citon Xhevdetin shumë herë në këtë libër, ja një fragment:

“Miku im që vdiq kur shkruaja këtë libër, poeti Xhevdet Bajraj (1960-2022), për këtë realitet tha se duke i lexuar dhe duke i ngrënë mbeturinat, u shndërruam në mbeturina. Sipas tij, e keqja është se fëmijët e lindur dhe të rritur në këtë kaos, po besojnë se kjo është gjendje normale, prandaj: shumica e tyre, gjatë leximit u fryjnë presjeve duke menduar se janë qerpikë të rënë, ndërsa pika hiq më pak se i vëllai binjak i mushkonjës që e mbyta pakëz më parë (Bajraj 2020, 54). Në këtë mënyrë, heronjtë e të gjitha kohëve, me apo pa kurrfarë arsye, bëhen të heshtur apo bëhen shumë të zëshëm. Apo të dyja përnjëherësh. E zëshme bëhet edhe e liga, madje edhe si vlerë. Vizion fare nuk ka. Gjithçka ndërlidhet me të kaluarën, që nga dita e djeshme e deri në … parahistori”. (Shala, Agron. 1981 – vidhe këtë libër. Klubi Letrar “De Rada”, 2023. f. 32.)

Këtë libër të Agron Shalës, është pak ta lexojmë veç një herë! Duhet të lexohet disa herë; ka aq shumë informata sa duhet të pushosh nga leximi i parë dhe pas një kohe ta rilexosh! Unë veçse e kam lexuar dy herë dhe do ta lexoj edhe disa herë! /Telegrafi/