Vedat Muriqi gjatë ditës së djeshme është transferuar te skuadra turke e Fenerbahçes.

Sulmuesi i Kosovës është bërë lojtari më i ri i “kanarinave”, të cilat po mundohen të bëjnë një ekip për titull të kampionit pas dështimit total në sezonin e kaluar në Superligën e Turqisë.

Futbollisti 25-vjeçar në sezonin që lamë pas kishe pasur një paraqitje fantastike kundër Fenerit, me ç’rast kishte realizuar një gol dhe një asistim në fitoren 3-0 të Rizesporit.

Pas takimit, Ersun Yanal, kishte folur për paraqitjen e shqiptarit duke thënë se ishte i jashtëzakonshëm dhe enigmë e pazgjidhur.

“Vedati na mbyti sonte. Jashtëzakonisht shumë veproi. Pothuajse në çdo pozitë të fushës ishte Muriqi”, kishte thënë atëbotë Yanal.

Ndryshe, Vedati ka nënshkruar kontratë katërvjeçare me verdhezinjtë gjersa do të ketë pagë vjetore prej dy milionë eurove. /Telegrafi/