Kur gjunjët dhe shpina “paralajmërojnë” shiun: çfarë thotë shkenca për lidhjen mes motit dhe dhimbjeve trupore

Ekspertët shpjegojnë pse ndryshimet e presionit, lagështisë dhe temperaturës ndikojnë në nyje, shpinë dhe humor dhe si t’i lehtësoni simptomat gjatë ditëve me mot të paqëndrueshë
Shumë njerëz raportojnë shtim të ngurtësisë ose dhimbjeve në kocka sa herë që “ndryshon moti”. Shpesh dëgjojmë shprehje si: “Gjunjët e mi paralajmërojnë shiun” ose “Më kruhet plaga kur po ndryshon moti”.
Ky nuk është vetëm autosugjestion, në të vërtetë, kjo dukuri është objekt i studimeve serioze në biometeorologji, reumatologji dhe mjekësinë digjitale.
Një nga projektet më të cituara është studimi britanik “Cloudy with a Chance of Pain” i Universitetit të Mançesterit, i cili për 15 muaj ka ndjekur mijëra pacientë përmes një aplikacioni. Rezultatet treguan se lagështia e lartë, presioni i ulët atmosferik dhe era e fortë lidhen me rritjen e dhimbjeve, me efekte të moderuara, por të matshme.
Megjithatë, disa studime të tjera, për shembull ato që krahasojnë reshjet e shiut me vizitat mjekësore për dhimbje në shpinë dhe nyje – nuk gjejnë lidhje të qartë.
Përfundimi më realist për pacientin është ky: nuk është “gjithçka në kokë”, por as “vetëm në motin”, zakonisht është një kombinim faktorësh.
A është meteopatia një degë e re e mjekësisë?
Në literaturën mjekësore, termat meteopati ose meteoropati po përdoren gjithnjë e më shpesh për të përshkruar grupin e simptomave që përkeqësohen nga ndryshimet e motit ose që shfaqen si reagim ndaj tyre. Ekzistojnë madje edhe pyetësorë klinikë si METEO-Q, që matin ndjeshmërinë ndaj kushteve meteorologjike.
Megjithatë, meteopatia nuk është ende e njohur si specializim më vete. Ajo trajtohet si një temë ndërdisiplinare, mes biometeorologjisë dhe specialiteteve klinike, ndërsa vitet e fundit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje përmes analizave sistematike dhe meta-analizave.
Në praktikën klinike, është më e dobishme ta kuptojmë meteopatinë si “modulator të simptomave”, pra një faktor që ndryshon intensitetin e dhimbjes ekzistuese, e jo si një sëmundje të veçantë.
Ajo nuk krijon dhimbje nga asgjëja, por mund ta përforcojë ndjesinë që tashmë ekziston, transmeton Telegrafi.

Pse ndryshimi i motit shkakton dhimbje?
Presioni atmosferik është “fajtori” më i zakonshëm. Kur ai bie ndjeshëm, indet e buta, si tendinat, bursat apo kapsulat e nyjeve, mund të zgjerohet lehtë, duke shtuar presionin mbi receptorët e dhimbjes. E ftohta shkakton ngushtim të enëve të gjakut, duke ulur furnizimin me oksigjen dhe lëndë ushqyese në inde, gjë që shton ndjesinë e ngurtësisë.
Nëse ajri është edhe i lagësht, ndjesia e “rëndesës” në gjymtyrë bëhet më e theksuar, veçanërisht te personat me osteoartrit.
Shumë studime gjejnë lidhje mes rritjes së lagështisë dhe presionit të lartë me dhimbjen më të fortë, ndërsa temperaturat e ulëta lidhen me më shumë shqetësime. Sidoqoftë, efektet janë individuale dhe të moderuara në mesatare.
Edhe viskoziteti i lëngut sinovial dhe elasticiteti i fascies ndryshojnë me temperaturën, duke ndikuar në ndjesinë e “bllokimit” të nyjeve.
Po aq e rëndësishme është edhe “klima e brendshme”: ajri i thatë dhe i nxehtë në ambiente të mbyllura shpesh shton ndjesinë e ngurtësisë, ndaj ajrosja dhe lagështimi i ajrit mund të ndihmojnë.
Ndikimi i motit në sistemin nervor
Moti i ftohtë ul pragun e ndjeshmërisë ndaj dhimbjes, ndërsa muskujt kontraktohen për të ruajtur nxehtësinë, duke rritur tonusin muskulor dhe presionin mbi nyje.
Nuk është e pazakontë që dhimbjet të shtohen pas ekspozimit ndaj erës dhe lagështisë, ose pas qëndrimit të gjatë pa lëvizje në ambiente të ftohta. Për këtë arsye, është e rëndësishme që secili të vëzhgojë reagimet e veta dhe të përshtasë rutinën sipas tyre.
Shpina dhe nervi shiatik
Dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës janë ndër arsyet më të shpeshta për vizita te mjeku.
Moti i ftohtë dhe i lagësht rrit spazmën muskulore rreth shtyllës kurrizore, duke krijuar ndjesinë e “bllokimit” apo pamundësinë për t’u përkulur.
Te ata që vuajnë nga nervi shiatik, çdo tension shtesë në muskuj dhe fascie mund të përkeqësojë dhimbjen që përhapet në këmbë. Ndryshimet e motit nuk shkaktojnë vetë, por mund të veprojnë si nxitës që e bëjnë dhimbjen e lehtë, të padurueshme.
Në këto raste ndihmojnë:
▪ Ngrohja lokale (termofor, dush i ngrohtë);
▪ Ushtrime për stabilitetin e trungut;
▪ Kujdes me qëndrimin ulur dhe ritmin e lëvizjes;
▪ Disa minuta frymëmarrje diafragmatike para ushtrimeve për të ulur tensionin nervor.
Gjatë gjumit, pozicioni më i mirë është në krah me jastëk mes gjunjëve ose në shpinë me rul poshtë gjunjëve, detaje të vogla që sjellin lehtësim të madh.
Nyjet që reagojnë më shpejt
Gunjët, ijët, shpatullat dhe shtylla kurrizore janë nyjet që bartin ngarkesën më të madhe dhe për këtë arsye janë të parat që “paralajmërojnë frontin e motit”.
Personat me osteoartrit shpesh ndiejnë dhimbje më të forta kur bie presioni dhe rritet lagështia. “Shtrëngimi” dhe “kërcitja” janë të zakonshme në këto periudha.
Ekspertët rekomandojnë të mbahet një ditar i motit dhe simptomave për 4–6 javë për të kuptuar nëse i përkisni atyre që moti i ndikon realisht.
Në praktikë ndihmojnë:
▪ Kompresat e buta (p.sh. fashë elastike për gju);
▪ Këpucë të qëndrueshme dhe tabanë amortizues;
▪ Rregullimi i peshës trupore, pasi çdo kilogram shtesë rrit presionin në nyje.
Kush ndien më shumë ndryshimet e motit?
▪ Personat me osteoartrit ose sëmundje reumatike inflamatore
▪ Të moshuarit, pasi kërci humbet elasticitetin
▪ Ata që kanë pasur fraktura ose operacione
▪ Personat me mbipeshë
Edhe njerëzit e shëndetshëm që papritur kalojnë më shumë kohë në të ftohtë. Në thelb, moti nuk është selektiv, tek disa njerëz “e rrit zhurmën në sfond”, tek të tjerët “e ngrit në maksimum”.
Trupi dhe mendja: lidhje që s’mund të ndahet
Ekspertët theksojnë se psikologjia luan rol të rëndësishëm. Moti i keq shpesh ul humorin, e kur bie gjendja shpirtërore, dhimbja perceptohet më e fortë.
Shumë pacientëve u kanë ndihmuar ecjet në dritë natyrale, ushtrimet e frymëmarrjes, joga apo meditimi i shkurtër, jo sepse dhimbja është imagjinare, por sepse truri filtroi çdo sinjal nga trupi, përfshirë dhimbjen.
Zakone të vogla që ndihmojnë në ditët meteopate
▪ Ngrohtësia dhe lëvizja: termofori, dushi ose banja e ngrohtë relaksojnë muskujt; pas ngrohjes, bëni lëvizje të lehta.
▪ Ushtrime të shkurtra, por të rregullta: ecje të buta, shtrirje, lëvizje rrethore të nyjeve – ruajnë qarkullimin dhe ulin spazmën.
▪ Fizioterapi dhe teknika manuale: masazhi, mobilizimi i nyjeve dhe stimulimi i mikrocirkulacionit lehtësojnë dhimbjet.
▪ Kujdes me këpucët dhe peshën: këpucë stabile dhe reduktimi gradual i peshës janë ndihma të mëdha për gjunjët dhe ijët.
▪ Ushqyerja: proteina të mjaftueshme, vitaminë D, kalcium dhe omega-3.
▪ Planifikimi i zgjuar i ditës: nëse pritet mot i ftohtë e i lagësht, lërini punët e rënda për orët kur jeni më të ngrohur dhe aktiv.
/Telegrafi/




















































