eksperti-banner

Kupa e Botës 2026, më e madhja në histori, nis këtë javë me 48 kombëtare që do të luftojnë për trofeun më prestigjioz në futboll.

Finalja do të zhvillohet më 19 korrik në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey, ku do të kurorëzohet kampioni i ri i botës.


Për muaj të tërë, mediat sportive kanë analizuar formën e skuadrave, gjendjen e lojtarëve dhe aspektet taktike që mund të përcaktojnë fituesin e turneut.

Megjithatë, në këtë edicion duket se një rol po aq të rëndësishëm mund ta luajnë edhe faktorët jashtë fushës së lojës.

Diferenca kohore dhe lodhja nga udhëtimet

Një nga sfidat më të mëdha për shumë kombëtare do të jetë përshtatja me zonat e ndryshme kohore. Ekipet që vijnë nga Evropa, Azia apo Afrika do të duhet të përballen me ndryshime të mëdha në bioritëm, gjë që mund të ndikojë në gjumë, rikuperim dhe performancë fizike.

Studime të ndryshme shkencore kanë treguar se “jet lag”-u rrit rrezikun e lodhjes dhe lëndimeve, veçanërisht në ditët e para pas mbërritjes.

Situata bëhet edhe më komplekse pasi turneu zhvillohet në territore që përfshijnë disa zona të ndryshme kohore, duke detyruar skuadrat të përshtaten vazhdimisht gjatë garës.

Temperaturat e larta dhe lagështia

Një tjetër faktor që mund të ndikojë ndjeshëm është klima. Sipas ekspertëve, shumica e qyteteve pritëse mund të përballen me temperatura të larta dhe lagështi të konsiderueshme gjatë turneut.

Nxehtësia nuk ndikon vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje, rikuperim, hidratim dhe cilësinë e gjumit. Ekspertët paralajmërojnë se kushtet ekstreme mund të ngadalësojnë ritmin e lojës dhe të ndikojnë në aftësinë e futbollistëve për të ruajtur intensitetin gjatë 90 minutave.

Për këtë arsye, disa kombëtare kanë ndryshuar mënyrën e përgatitjes, ndërsa në disa raste është diskutuar edhe mundësia që lojtarët rezervë të qëndrojnë në ambiente të freskëta për të shmangur ekspozimin e tepërt ndaj temperaturave të larta.


Lartësia mbidetare dhe aklimatizimi

Disa ndeshje do të zhvillohen në Meksikë, ku stadiumet ndodhen në lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit.

Qyteti i Meksikos, për shembull, gjendet mbi 2.200 metra lartësi, një faktor që tradicionalisht ka favorizuar skuadrat e mësuara me kushte të tilla.

Kombëtaret që nuk janë të ambientuara me ajrin e rrallë mund të hasin vështirësi në aspektin fizik, sidomos në fazat e fundit të ndeshjeve.

Udhëtimet e gjata dhe moti i paparashikueshëm

Me zgjerimin e turneut në 48 ekipe dhe 104 ndeshje, distancat që do të përshkojnë skuadrat janë më të mëdha se kurrë më parë.

Disa kombëtare do të udhëtojnë mijëra kilometra mes ndeshjeve, duke kaluar nga klima të ftohta në temperatura shumë më të larta brenda pak ditësh.

Përveç kësaj, organizatorët duhet të llogarisin edhe mundësinë e ndërprerjes së ndeshjeve për shkak të stuhive dhe rrufeve, sipas protokolleve të sigurisë që aplikohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjykimi dhe rregullat e reja

Kjo Kupë Bote do të ketë gjithashtu numrin më të madh të arbitrave në histori. FIFA ka zgjedhur 52 gjyqtarë kryesorë, 88 asistentë dhe 30 gjyqtarë të VAR.

Përveç rritjes së numrit të gjyqtarëve, janë futur edhe protokolle të reja që i japin VAR-it më shumë kompetenca për të korrigjuar vendime të caktuara.

Megjithatë, mbetet për t’u parë nëse kriteret e arbitrimit do të jenë të njëjta në të gjitha ndeshjet dhe sa do të ndikojnë ato në rrjedhën e turneut.


Një Botëror ndryshe nga të tjerët

Kupa e Botës 2026 premton të jetë një nga turnet më të paparashikueshme në histori. Përveç cilësisë së skuadrave dhe talentit individual, faktorë si klima, udhëtimet, diferenca kohore, lartësia mbidetare dhe arbitrimi mund të luajnë një rol vendimtar në përcaktimin e kampionit të ri të botës.

Në një turne kaq të madh dhe të shpërndarë në një territor të gjerë, përshtatja me kushtet jashtë fushës mund të jetë po aq e rëndësishme sa ajo që skuadrat tregojnë brenda saj. /Telegrafi/

telegrafi sport app