LAJMI I FUNDIT:

KRU ‘Prishtina’ dërgon dy mijë lëndë te përmbaruesit privat, vazhdojnë edhe shkyçjet individuale të konsumatorëve borxhlinj

KRU ‘Prishtina’ dërgon dy mijë lëndë te përmbaruesit privat, vazhdojnë edhe shkyçjet individuale të konsumatorëve borxhlinj

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se, aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mospagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra.

Shkyçjet individuale për konsumatorët borxhlinj kanë filluar në janar të këtij viti e janë duke vazhduar ende.


“Paralajmërojmë konsumatorët borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit se kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat dhe borxhin e akumuluar. Që nga muaji prill 2019, KRU ‘Prishtina’ ka formuar komision të veçantë për verifikimin, përpunimin dhe procedimin e lëndëve të konsumatorëve borxhlinj ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit te përmbaruesit privat. Vetëm ditën e djeshme, më 2 korrik, janë dërguar rreth 2,000 lëndë te përmbaruesit dhe pritet që edhe 2,300 lëndë të tjera të dërgohen javën e ardhshme. Lëndët që po përgatiten dhe dërgohen te përmbaruesit janë lëndë të konsumatorëve që kanë obligime të pashlyera ndaj shërbimeve të ujit e kanalizimit dhe njëkohësisht edhe lëndët e konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe të cilët nuk i’u janë përmbajtur marrëveshjes kontraktuale, pavarësisht thirrjeve të shumta në forma të ndryshme, që u ka bërë Departamenti për Konsumatorë i KRU ‘Prishtina'”, thuhet në njoftimin e kompanisë, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, kjo kompani thotë se nga ditët e ardhshme do të vazhdon patrullimi i inspektorëve lidhur me keqpërdorimin e ujit nga qytetarët.

“Nga dita e nesërme KRU ‘Prishtina’ ka marrë vendim që, grupe inspektorësh do të patrullojnë përgjatë gjithë ditës dhe natës në gjetjen e keqpërdoruesve të ujit, jo vetëm në Prishtinë por në të gjitha Njësitë Operative në qytete e në fshatra, e më pas ndaj tyre do të ndërmerren masa ndëshkuese konform ligjeve në fuqi”, vijon njoftimi.

KRU “Prishtina” thotë se borxhi total ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit është mbi 40 milion euro derisa, nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike kanë përfituar mbi 52 mijë konsumatorë, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk i’u janë përmbajtur kontratës së nënshkruar nga të dyja palët. /Telegrafi/