LAJMI I FUNDIT:

Kritikë filmi: “VICE”

Kritikë filmi: “VICE”

Adam McKay bëri emër me regjinë e filmave “Anchorman”, “Step Brothers” dhe të komedive tjera ku Will Ferrell shanë me zë të lartë dhe prish gjërat, por sot ai është një nga krijuesit më seriozë në SHBA. Jo serioz në kuptimin e të qënit masiv ose i paqartë, por serioz në angazhimin e tij në çështjet komplekse. Ndryshimi i madh erdhi me “The Big Short” më 2015, fitues i një çmimi Oscar, ku shpjegohen makinacionet prapa krizës financiare të viteve 2007-2008. McKay e vazhdon lojën me “Vice”, një film që tregon se si politika amerikane erdhi në gjendjen e sotme surreale. Përgjigja është te dy fjalë: Dick Cheney, shkruan kritiku i filmit Nicholas Barber, transmeton Telegrafi.

“Vice” përdor marifetet e njëjta si te “The Big Short”: ka sekuenca fantazie, monologë të murit të katërt, zëra ironikë dhe madje dialogje shekspiriane. Por, është më i fokusuar dhe më tërheqës sesa filmi i fundit i McKayt, sepse përqendrohet në jetën e një njeriu intrigues, pothuajse legjendar. Fillimisht shihet se si rrihet e si dehet më 1963, pastaj se si Cheney (Christian Bale) bëhet ndihmës i Donald “Rum” Rumsfeldit (Steve Carell), shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë, kongresist, CEO i një kompanie të naftës dhe në fund zëvendëspresident që merr më shumë vendime se George W. Bush (Sam Rockwell). Cheney me kohën bëhet me i trashë e më tullac, për çka Bale bën një transformim tjetër unik (meritat shkojnë edhe te sektori i maskave).

Siç mund ta prisni nga një regjisor i “Anchorman”-it, “Vice” ka shumë satirë: Rockwelli është tërheqës si Dubay (nofkë e Bushit – v.j.), teksa është i lumtur që po heq autoritet nga vetja. Por, ajo që është më e habitshme për projektin është “tërbimi”. McKay vë klipe të fshatarëve kamboxhianë që digjen nga bombat amerikane ose qytetet afgane që shndërrohen në pluhur. Cheney dhe grupet e tij nuk janë karaktere vizatimorë, këmbëngul ai; ata janë mashtrues, torturues, vrasës masivë, shkatërrues të mjedisit dhe diktatorë të mundshëm. Disa njerëz që e shikojnë filmin “Vice” (ose refuzojnë ta shohin atë) do ta denoncojnë si propagandë liberale: McKay është mjaft i zgjuar për të përfshirë një shaka për këtë në fund të filmit. Por, pavarësisht nga prirjet politike, duhet të pranoni se ky është film cinik dhe i hulumtuar në mënyrë metodike që nuk jep shumë grushte.

Nëse grushtet lidhen me objektivin, është çështje tjetër. Gjatë tërë kohës tregohet se Cheney ka sulme të shpeshta në zemër, që i sheh si shqetësim i lehtë. Por, çfarë ishte zemra e Cheneyt, në aspektin metaforik? Çfarë ndodh në tru pas asaj fytyre? Në një skenë, i riu Cheney pyet Rumsfeldin: “Çfarë besojmë?” Përgjigja e Rumsfeldit është e qeshura djallëzore. Por, është një pyetje e drejtë. Çfarë beson Cheney? Si kongresist voton çdo projektligj që do ta bëjë botën një vend më mizor e më të ndotur. Si nënkryetar kërkon miratimin e “interpretimit të jashtëzakonshëm” dhe “marrjet masive në pyetje” me gjithë tmerret që përfaqësojnë. Por, nuk tregohet se pse i merr këto vendime.

Më herët, Cheney shfaqet si njeri i ngatërruar që bën gjithçka që i thuhet. Ai mund të jetë Forrest Gump: dikush që nuk është shumë i kthjellët, por që ka aftësi të jetë afër fuqisë. Dhe, ky student dhe atlet mesatar, siç e quan narratori, e bën kërcimin nga ndihmësi i përkëdhelur te sundimtari makiavelian. McKay nuk tregon se si ose pse kjo ndodhi. Në fillim thuhet se është vështirë të bëhet një biopik i dikujt që është shumë “i fshehtë”, porse “e bëmë më të mirën”. Por, kjo nuk mjafton.

McKay është më i sigurt në karakterizimin e gruas së Cheneyt, Lynne. E luajtur nga Amy Adams, kjo Zonjë Makbeth ka vendosmëri. E shtyrë nga urrejtja për babanë dhunshëm dhe alkoolik, e detyron Cheneyn të kthjellet dhe të bëjë diçka me veten. Ajo ka karizmë, për dallim nga ai. Por, porsa nisim ta kuptojmë, zhduket nga filmi. E, sa i përket burrit të saj, ai nuk duket i motivuar nga patriotizmi, ambicia apo lakmia. Sa më shumë që pëlqejmë imitimin e Balet, ne nuk e njohim atë.

“Vice”, përkundër zgjuarsisë dhe dhuntisë tregon edhe kufizimit e McKayt për satirë dokumentare. Atij i pëlqen të shfaq faktet dhe figurat e dokumentuara, të cilat janë në rregull, por dramaturgu do të duhej të ndalej dhe të bënte disa dramatizime. Ata duhet të shqyrtojnë emocionet dhe veprimet e një karakteri, në mënyrë intime, pasi McKay nuk ishte i gatshëm të jetë më i afërt e më personal. Ndoshta ai e urren shumë Cheney për ta humanizuar. Ndoshta kishte shumë materiale për të… /Telegrafi/