LAJMI I FUNDIT:

Kosova, “shtet social”

Kosova, “shtet social”

Kosova shumë shpejt mund të shndërrohet në një shtet social me ndarjet buxhetore që po i planifikon për transferime sociale. Rritja e shpenzimeve të kësaj kategorie i ka alarmuar njohësit e çështjeve ekonomike, të cilët po kërkojnë kujdesin e Qeverisë së Kosovës në këtë aspekt.

Eksperti i ekonomisë Naim Gashi në një deklaratë për gazetën “Zëri” ka përmendur vërejtjet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar që vazhdimisht ia kanë bërë Kosovës rreth rritjes së shpenzimeve për skemat sociale.


Sipas Gashit, buxheti i Kosovës do ta ketë të papërballueshme që të mbulojë një kosto kaq të lartë të skemave sociale.

“Dy mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, të cilët janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vazhdimisht i kanë bërë vërejtje në vitet e fundit Qeverisë së Kosovës rreth rritjes së shpenzimeve për skemat sociale.

Aktualisht gati një e treta e popullatës së Kosovës janë përfshirë në skema sociale, që i bie se buxheti i Kosovës gati do ta ketë të papërballueshme një kosto kaq të lartë të kostos sociale. Kur them një e treta flas e moshës madhore, këtu nuk përfshihen fëmijët dhe pensionistët”, ka paralajmëruar eksperti i ekonomisë. /Zëri/Telegrafi/