eksperti-banner

Është thënë vazhdueshëm, dhe po thuhet akoma, se procesi i shkëputjes së plotë të Republikës së Kosovës nga Serbia shkatërrimtare do të sillte koklavitje të mëdha dhe do të merrte kohë bukur të gjatë. Është thënë po ashtu se miqtë e Serbisë do të bëjnë çmos që ta batërdisin procesin e njohjes së mëvetësisë së Kosovës, porse miqtë e Kosovës do të jenë më të shumtë, dhe do t’i dalin në ndihmë asaj! Por nuk është thënë asnjëherë se pavarësia e çalë që doli nga dokumenti i presidentit Ahtisaari do të paralizohet dhe bllokohet kaq fuqishëm, saqë gati po i merret fryma.

Procesi i bërjes së shtetit nga brenda është rrumbullakuar por vetëm në aspektin institucional, sepse megjithëse për shembull në Kosovë kemi Gjykatën Kushtetuese, anëtarët e saj nuk i pyet kush në veriun e vendit apo zonat e banuara me serbë në Kosovë, apo edhe pse kemi FSK-në si pararojë e një ushtrie të ardhshme të vendit, askush nuk pyet për autoritetin e saj në rajonet Serbe të Kosovës. Raste të tilla në Kosovë janë të panumërta!

Nga aspekti i jashtëm zhagitjet në bërjen e sistemit diplomatik të Kosovës janë të habitshme! Neve thjesht nuk kemi kohë të pa fund për të pritur ashtu që të kemi legjitimitet ndërkombëtar në kryeqytetet e vendeve që na kanë njohur. Ngjitur me këtë çështje, është edhe problemi i njohjes së mëvetësisë së Kosovës i cili siç jemi dëshmitarë të gjithë ka ndaluar. Për këtë faji është i të gjitha institucioneve shtetërore të cilat jan kapur pas politikës ditore dhe po harrojnë atë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Së pari këtu duhet përmendur zyra e kryetarit të shtetit e cila në aktivitetet ndërkombëtare çalon pa masë. Aktivitet politik dypalësh ose shumëpalësh nuk është vetëm ndonjë vizitë e rrallë e presidentit në ndonjë vend tjetër, por është edhe vizita e zyrtarëve të huaj vendit tonë. Ftesat e presidentit bërë institucioneve apo edhe individëve të huaj, thuajse nuk ekzistojnë fare.

Në radhë të dytë është po aq fajtore edhe diplomacia parlamentare e jona. Kuvendi Popullor i Republikës së Kosovës nuk dëgjohet fare në aspektin e lobimit dhe prezantimit të Kosovës jashtë vendit, dhe duket se për sivjet janë mjaftuar me vizitën e kryetarit të Parlamentit Turk që e bëri para disa javësh në Prishtinë.

Po aq fajtore në këtë mes është edhe Qeveria dhe ministrat e shumtë të sajë që mesa duket e harrojnë se nëpërmjet zyrës që mbajnë, ata/ato individ përfaqësojnë shtetin e tyre. Aktivitetet e tyre jashtë vendit pothuajse fare nuk ekzistojnë, e krejt aktiviteti i tyre i jashtëm konsiston në prerjen e ndonjë shiriti, dhe ngucjen me deputetët në Kuvend.

Në këtë mes Ministria e Jashtme e Kosovës, institucioni përgjegjës për procesin e njohjes, ka filluar gjumin e dimrit në mes të verës dhe nuk po bën asgjë që t’i përgjigjet politikës agresive të diplomacisë serbe. Kështu për shembull, para disa ditësh, kryediplomati Serb Vuk Jeremiq, i cili vjen nga korridoret e diplomacisë agresive dhe therëse serbe, shpjegoj se vendi i tij ka planin B për Kosovën nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë e shpall Kosovën si fituese në procesin për pavarësinë e saj. Ky plan sipas tij, përbën këmbënguljen e serbisë për ndarje të Kosovës duke argumentuar se serbët nuk mund ta ndiejnë veten të sigurt në Kosovën shtet!

Ai po ashtu tha se në rast të fitores në GJND nga Serbia, atëherë kjo e fundit do të kërkojë që Kosova detyrimisht të bashkohet me Serbinë me një autonomi të gjerë duke mos cenuar të drejtën ndërkombëtare!

Lind pyetja, po Kosova a ka një plan B? Pse duhet të mësojmë nga Serbia për potezet diplomatike, kur detyra e diplomacisë së një shteti është të tërheqë vet topin e lojës në fushë. Pse të mos bëjmë edhe ne pikërisht të njëjtën gjë, duke argumentuar se nga gjaku i derdhur i bashkëvendasve tanë ne nuk mund të jetojmë me Serbinë, dhe se në qoftë se na cenohet e drejta për të qenë shtet pse të mos na njihet e drejta për tu bashkuar me shtetin amë?

Suksesi i konsiderueshëm i Serbisë në parandalimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës mund t’i atribuohet politikës së tyre agresive në Organizatën e të pa inkuadruarve ku po bëjnë presion mbi vendet anëtare që mos të njihet Kosova. E përderisa Beogradi punon ditën dhe natën, Prishtina zyrtare hesht dhe mavijoset! Zhagitjet e pa imagjinueshme të politikës sonë të jashtme i përmendi vet ministri ynë i jashtëm Skender Hyseni kur tha para pak ditësh se edhe 5 (pesë) vjet Kosova synon që të anëtarësohet në OKB. Dmth edhe pesë vjet të humbura për popullin tonë, derisa të bëhemi subjekt legjitim ndërkombëtar.

Është e vërtetë se në politikën ndërkombëtare gjërat lëvizin ngadalë, por po ashtu është e vërtetë se në politikën ndërkombëtare ata që din i lëvizin gjërat vet shumë më shpejt sesa teket e qarqeve diplomatike. Vetëm shembujt e tre vendeve baltike dhe Sllovenisë janë një argument i pa kundërshtueshëm sesi brenda 10 vjetësh mund të ngriten të gjitha standardet shtetrore ashtu që edhe NATO edhe BE-ja tu thonë mirë se vini në organizatën tonë, krahëhapur dhe krenarë.

Neve ndërkaq na u dashkan pesë vjet që të anëtarësohemi në OKB!!!. Shih për këtë pasi që SHBA-të dhe vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën i kanë duart plot me krizat në Irak dhe Afganistan, politika në Prishtinë duhet të ndryshojë sa më parë kursin e angazhimeve të veta, dhe të orientohet me të gjitha forcat drejt njohjes së Kosovës si subjekt ndërkombëtar, e këtë duhet bërë as më shumë e as më pak por aq sa po bën Serbia që ta parandaloj shtetësinë tonë! Sepse pa legjitimitet ndërkombëtar, përparimet dhe integrimet aq të deshiruara ndërkombëtare nuk mund të ndodhin!

(Autori doc.sci. Gani Asllani është pedagog i shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe)