eksperti-banner

Pas katër ditësh të mbushura me aktivitete sportive, aventura në natyrë dhe net të paharrueshme muzikore, ka përfunduar edicioni i sivjetmë i Peja Outdoor Festival 2026, i cili u mbajt nga 11 deri më 14 qershor në qytetin e Pejës dhe në zonat përreth saj.

Festivali mblodhi qindra pjesëmarrës vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët patën mundësinë të përjetojnë një gamë të gjerë aktivitetesh në natyrë, duke e shndërruar Pejën në një qendër të turizmit aktiv dhe aventurës.




Një ndër ngjarjet kryesore sportive të festivalit ishte Peja Trail Run 2026, ku garuesit sfiduan veten në shtigjet malore të Rugovës.

Në garën prej 23 kilometrash, në kategorinë e meshkujve, vendin e parë e zuri Albion Imeri, i cili përfundoi garën me kohën 2 orë, 8 minuta e 48 sekonda. Pas tij u renditën Remualdo Zaimi me kohën 2:16:27 dhe Ardian Sadiku me 2:20:02.

Ndërkaq, në kategorinë e femrave triumfoi Gresa Bakraqi, me kohën 2 orë e 22 minuta. Në vendin e dytë u rendit Naile Seferaj me 2:51:20, ndërsa e treta përfundoi Natyra Kelmendi Shala me kohën 3:07:23.



Në garën 10-kilometërshe, fitues doli Azem Osmani, i cili kaloi vijën e finishit pas 50 minutash e 39 sekondash.

Përveç garave të vrapimit, pjesëmarrësit u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh që ofruan përvoja unike në natyrë. Hikingu drejt Gurit të Kuq, ecjet e lehta në Livadhin e Sakës, Tarabosh dhe Zatra, si dhe eksplorimet malore për fëmijë, sollën momente të veçanta për të gjitha grupmoshat.

Adrenalina nuk mungoi as këtë vit. Të apasionuarit pas aventurës sfiduan veten në ngjitje shkëmbore, Via Ferrata te Shpellat, ngjitje në murin artificial, Parkun e Aventurave dhe Big Swing, ndërsa përjetuan emocione të forta edhe përmes Zip Line dhe fluturimeve me paragliding, që u ofruan pamje mahnitëse të Pejës nga ajri.



Pjesëmarrësit patën mundësi të shijojnë edhe kalërimin në natyrë, maratonën me biçikleta dhe kampingun në Halaj, duke kaluar net nën qiellin e hapur dhe duke forcuar lidhjen me natyrën.

Festivali ofroi gjithashtu aktivitete relaksuese dhe kulturore. Sesionet e jogës sollën qetësi dhe energji pozitive në mëngjes, ndërsa Audio Guida u dha vizitorëve mundësinë ta zbulojnë historinë dhe pikat më karakteristike të qytetit të Pejës në një mënyrë interaktive.



Mbrëmjet e festivalit u shoqëruan me atmosferë festive dhe koncerte që elektrizuan publikun. Në skenë performuan NRG Band, Dren Abazi, Klajdi & Bruno dhe grupi Asgjë Sikur Dielli, ndërsa ritmet e DJ Banxx mbajtën gjallë atmosferën deri në orët e vona.

Peja Outdoor Festival 2026 u mbyll duke konfirmuar edhe një herë statusin e tij si një nga ngjarjet më të rëndësishme të turizmit dhe aventurës në Kosovë, duke promovuar bukuritë natyrore të Rugovës dhe Pejës, stilin aktiv të jetesës dhe potencialin turistik të rajonit. /Telegrafi/