LAJMI I FUNDIT:

Kosova dhe çmenduria ndërtuese

Kosova dhe çmenduria ndërtuese

Ilaz Hysaj

Ndërtimi, blerja apo renovimi i shtëpisë është një prej akteve më legjitime dhe me të këndshme në procesin e ndërtimit të çerdhes familjare. Është një kënaqësi e veçante, por njëherazi edhe detyrë e një prindi t’i sigurojë strehë bashkëshortes dhe fëmijëve që i vënë ata në jetë.


Termi “vatër familjare” përmbledh gjithë dimensionin afektiv të një jete të përbashkët nën një çati që quhet kasolle, shtëpi, banesë, pavijon… Në muret e një shtëpie do të nguliten ngjarje, kujtime të mira apo të këqija, lindje apo vdekje, martesa apo ndarje… dhe të gjitha këto do të bëjnë historinë e një shtëpie – historinë e një familje.

Çdo popull ka një kulturë ndërtuese; çdo periudhe kohore ka vulën e vet ndërtuese. Secili regjion gjeografik ka karakteristikat e veta, qe janë të lidhura me klimën, konfiguracionin, kontekstin historik dhe zhvillimin socio-ekonomik të atij regjioni.

Kullat shqiptare me frëngji në veri të Shqipërisë dhe në disa pjese të Kosovës dallojnë dukshëm nga shtëpitë e vjetra qytetare urbane, si në Prizren, Berat, Gjakovë, Gjirokastër etj. Ne nivele tjera të përmasave internacionale, gjithashtu hasim diversitet struktural të objekteve ndërtimore. Për shembull, në shtete nordike ndërtimet janë të ndryshme nga ato mesdhetare.

Organizimi i këtyre ndërtimeve në një rrafsh të definuar gjeografik, paraqet të ashtuquajturën morfologji urbane. Interaksioni i të gjitha klasave qe popullojnë këto rrafshe, në raport me shoqërinë, paraqet të ashtuquajturën sociologji urbane. Ta gjitha masat qe merr shteti për të rregulluar, valorizuar ndërtimet – duke marre parasysh shumë faktorë, si ai social, historik ,ekonomik, gjeografik, tendencat migruese etj. – paraqet të ashtuquajturën politike urbane.

Kjo politikë artikulohet me aktin final :Planifikimin urban i cili duhet të elaborohet nga eksperte të lëmenjve të ndryshëm, si: sociologu, gjeografi, historiani, arkitekti, ekonomisti… E koordinuar mire nga politika lokale, regjionale dhe shtetërore, mbarëvajtje e planifikimit urban duhet të sigurohet nga shteti ligjor.

Por, çka ndodhi në Kosove, menjëherë pas luftës

Kudo në bote pas luftës nis rindërtimi. Në Kosove kjo shoqërohej nga një ndjenjë e veçantë entuziazmi, euforie, sepse përherë të parë në histori ky popull po merrte frymë lirshëm. Brenda pak muajsh u zhduken gati të gjitha stigmat e luftës. Shtëpitë rinovoheshin shpejtë, të tjerat ndërtoheshin – disa me buxhetin e paktë të mbetur, disa nga ndihmat familjarë nga diaspora, të tjerat nga donacionet ndërkombëtare.

E gjithë kjo do të ishte normale sikur ky trend të mos merrte dimensione marramendëse dhe plotësisht të pakontrolluara, pasojat e të cilave jemi duke i paguar dhe do t’i paguajnë tepër shtrenjte gjeneratat e ardhshme.

Ne garën e çmendur ndërtuese, fillimisht u futen tri kategori shoqërore:

1. Diaspora e cila me dekada kishte punuar dhe grumbulluar një kapital mjaftë të rëndësishëm. “Liria” e Kosovës u hapi rrugën realizimit të ëndrrave për të ndërtuar diçka “madhështore”, “përrallore”, qe rrallë shihet edhe në vendin ku ata punojnë. Shtëpi shumëkatëshe, me shumë e shume dhoma, më ballkone e kulme atipike, forma nga më të çuditshmet.

2. Tregtarët dhe biznesmenët vendorë të cilët para luftës, gjate luftës dhe menjëherë pas luftës zhvilluan aktivitet fitimprurës, të cilët gjithashtu ndoqën këtë trend të ndërtimit atipik të shtëpive dhe lokaleve të biznesit – por këta të fundit “ekstravagancën” e ngritën në katror në krahasim me ata nga diaspora. U ndërtuan kafeteri, hotele, motele, supermarkete, pompa benzine vend e pa vend, ku duhet e ku nuk duhet, me një përzierje të tmerrshme stilesh.

3. Shumë shpejt në lojë u kyç kategoria e tretë, ajo e uzurpueseve, politikanëve e mafiozeve, të cilët paranë e fituar lehtë dhe në mënyrë të piste e futen në blloqe të larta betoni.

Qe të tria kategoritë kishin harruar gjënë nga me elementaret – rregullin numër një: para se të fillohet ndërtimin, duhet të behet themeli i cili do ta mbajë peshën e asaj që ndërton; themelin, me gjithë simbolikën që ka është shteti ligjor i cili do të sigurojë jetëgjatësinë dhe stabilitetin e saj që ndërton.

Asnjëra nga këto kategori nuk investoi në themelin e shtetit. Përkundrazi një pjesë e mirë nga dy këto të fundit e hëngrën embrionin ende pa u formuar. E dhimbshme dhe e turpshme, por deri sot pandëshkueshme.

Tragjedia fillon kur në loje futen klasa e mesme dhe e varfër që nga lufta kishin dalë edhe më të çveshur. Ishte e rëndë për ta të shikojnë afër shtëpive të tyre modeste, rrokaqiej që mbinin si kërpudha, secila më a lartë se tjetra. Edhe ata kishin dëshirë të kenë diçka të mirë, të bukur, të madhe. “O qyqan, shiko çka ndërtoi filani për dy muaj? A e ke pa çfarë kuzhine ia kish ble gruas së vet e ti hala me kolibe!” Edhe fëmijët lakmonin si nenat e tyre: kishin dëshirë të kishin diçka si shokët e tyre të klasës.

Ata që kishin tokë, e shitën deri në pëllëmbën e fundit për të ndërtuar diçka si fqinji e mundësisht me ia kalua për një katram. Ata që nuk kishin u futën në borxhe, me shpresën se liria do t’ju sjellë punë dhe do ta lajnë. Pjesa me e madhe u fut në kredi me kamate të larta.

Ankthi i kësteve mujore dhe borxheve, bëjnë të dridhen shumë familje në blloqet edhe ashtu të ftohta të betonit…