Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në fshatin Herticë të Podujevës, ku është ndaluar një traktor me rimorkio i ngarkuar me vaj motorik të kontrabanduar nga Serbia.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 19 maj 2026, në kuadër të “angazhimeve policore në ruajtjen e kufirit shtetëror dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare”.


“Njësitë policore kufitare, me datën 19 maj 2026, në fshatin Herticë komuna e Podujevës, kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se gjatë aksionit është ndaluar një traktor me rimorkio të ngarkuar me 161 bidonë të mbushur me gjithsejtë 2898 litra vaj motorik të kontrabanduar nga territori i Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Sipas autoriteteve, mallrat po transportoheshin ilegalisht duke kaluar në rrugë malore përmes vijës kufitare.

Malli i sekuestruar është dërguar në terminalin doganor në Merdare për procedura të mëtejshme nga Dogana e Kosovës.

Ndërkohë, me autorizim të prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprat “kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare” dhe “kontrabandim me mallra”.

Personi i dyshuar, pas intervistimit nga organet kompetente, është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/