eksperti-banner

*** Pavarësisht se çfarë deklarojmë ne “politikisht”, nëse atakohet EULEX-i, në të njëjtën kohë sulmohen BE-ja, OKB-ja, Amerika, NATO-ja, KFOR-i, domethënë e gjithë nomenklatura e faktorit ndërkombëtar në Kosovë, pjesë e ligjshme e së cilës është edhe tërë struktura përbërëse e EULEX-it.

Këtë fakt të rëndësishëm, duhet ta mbajnë parasysh jo vetëm subjektet politike dhe liderët e tyre (pozitë – opozitë), por secili shqiptar në Kosovë dhe jashtë Kosovës!

*** Fitorja më e madhe e Serbisë kolonialiste, do të ishte konfrontimi i shqiptarëve me faktorin ndërkombëtar në Kosovë!

*** Ne vetë jemi fajtorë pse pas pavarësimit të Kosovës (17 shkurt 2008) kemi pranuar tutelën supervizuese evropiane dhe ndërkombëtare, jo, kurrsesi EULEX-i, i cili është produkt i drejtpërdrejtë politik, diplomatik dhe juridik i Qeverisë, i Parlamentit dhe i kryetarit të Kosovës.

Prandaj, prania dhe funksionimi i faktorit ndërkombëtar në Kosovë është çështje vetëm e Qeverisë, e Parlamentit dhe e kryetarit të Kosovës, jo, në asnjë mënyrë e opozitës politike në Kosovë, të cilën, ashtu sikurse popullin shqiptar, askush nga qeveria, nga parlamenti e as nga kryetari Kosovës nuk e ka konsultuar, as nuk ka marrë kurrfarë pëlqimi për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës nën mbikëqyrjen evropiane dhe ndërkombëtare sipas Planit antijuridik ndërkombëtar-antivetëvendosje të Marti Ahtisarit.

Në këtë vështrim, si para historisë, ashtu edhe para së drejtës vendore dhe asaj ndërkombëtare, nuk mbajnë përgjegjësi Lëvizja Vetëvendosje, as opozita politike në Kosovë, por mbajnë përgjegjësi titullarët aktual të qeverisë, të parlamentit dhe kryetari i Kosovës, të cilët kanë pranuar dhe kanë nënshkruar pavarësinë dhe sovranitetin e kushtëzuar dhe të kontrolluar ndërkombëtar të Kosovës.

Thjesht, punoj drejt a shtrembër EULEX-i, përkatësisht faktori ndërkombëtar në Kosovë, për këtë çështje, vlerësimin pozitiv a negativ (paqësor a protestues) zyrtar, duhet ta japin Qeveria, Parlamenti dhe kryetari i Kosovës, jo opozita politike, as Lëvizja Vetëvendosje, sepse nga reagimi i tillë i drejtë, i ligjshëm dhe demokratik i tyre, do të përfitonte prapë politika e gabuar e titullarëve të qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës.

Prandaj, për korrigjimin e gabimeve të tilla të qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse të konfrontohet me faktorin ndërkombëtar (EULEX, UNMIK, KFOR , BE etj.), sepse prania, veprimtaria dhe roli mbikëqyrës administrues, ligjor, juridik dhe kushtetues kombëtar dhe ndërkombëtar i tyre janë vetëm çështje e qeverisë, e parlamentit dhe e kryetarit të Kosovës, jo e opozitës politike.

Ne, mund të jemi të pakënaqur me punën e deritashme të EULEX-it në Kosovë. Mirëpo, misioni dhe roli i tij, assesi nuk kanë karakter kolonial. Ky kualifikim apolitik është i paqëndrueshëm, i papranueshëm dhe i skajshëm, ndaj edhe nuk mund t’i atribuohet EULEX-it, sepse nuk ekziston asnjë provë materiale ligjore për këtë akuzë të keqmenduar politikisht dhe të deklaruar naivisht ngase është irracionale si në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, ashtu, edhe të asaj të brendshme.

Konfrontimi me EULEX-in, do të thotë konfrontimin direkt dhe indirekt me BE-në, me Amerikën, me Kanadanë, me NATO-n dhe me KFOR-in!
Kujt dhe, kush përfiton nga ky konfrontim me faktorin ndërkombëtar në Kosovë? – Të gjithë, përveç shqiptarëve, Kosovës dhe Amerikës!
-Dihet, pra, para së gjithash fiton Serbia dhe të gjithë armiqtë e shqiptarëve, të Kosovës dhe të Amerikës!

Pra, shikuar nga të gjitha aspektet (intensiv dhe ekstensiv) konfrontimi i Lëvizjes Vetëvendosje, përkatësisht i opozitës politike shqiptare në Kosovë, pa dyshim se për Serbinë, do të ishte fitorja më e madhe, sepse, në atë rast, do të krijoheshin raporte dhe rrethana të reja kontradiktore politike, diplomatike dhe strategjike ndërmjet faktorëve ndërkombëtarë dhe shqiptarëve në Kosovë.
Andaj, pse të konfrontohemi me faktorin ndërkombëtar, kur ende nuk ka përfunduar misionin e tij paqësor në Kosovë?!

Këtë e provon edhe fakti se Kosova ende nuk e ka Ushtrinë e saj kombëtare, gjë që kjo, sheshit provon se Kosova ende nuk është krejtësisht e pavarur dhe sovrane de fakto dhe de jure sipas së drejtës ndërkombëtare, sipas Kartës së OKB-së dhe sipas Aktit final të Helsinkit (Kreu VIII) të vitit 1975 etj.

Derisa Kosova ende është nën mbrojtjen direkte të faktorit ndërkombëtar (KFOR, NATO, BE dhe Amerika), askujt prej nesh nuk i duhet kurrfarë konfrontimi, ashpërsimi dhe përkeqësimi të marrëdhënieve me të. Këtë, duhet ta ketë të qartë edhe opozita, edhe çdo shqiptar në Kosovë dhe jashtë saj. Pavarësisht nga të metat dhe gabimet e tyre të deritashme në mbrojtjen e interesave jetike të shqiptarëve dhe të Kosovës në kuptimin e së drejtës së brendshme dhe asaj ndërkombëtare ngaqë bashkëpjesëmarrës të tyre janë edhe Qeveria, edhe Parlamenti edhe kryetari i Kosovës.

EULEXI nuk është kolonizator i Kosovës!


Tradicionalisht, as shkenca, as politika e as propaganda shqiptare nuk vuajnë nga opsesioni i ndërrimit të tezave kur është fjala për mbrojtjen e së vërtetës universale, pavarësisht nga kërcënimet dhe nga rreziqet e ndryshme qoftë me karakter të brendshëm apo të jashtëm.

Prandaj, edhe në rastin konkret, kur është fjala për EULEX-in, nuk kemi arsye t’i ndërrojmë tezat se gjoja ky “ka karakter kolonial në Kosovë”!? –Jo, ky cilësim është i papranueshëm, sepse EULEXI nuk është ai që Mitrovicën-Kosovën Veriore “ua bëri teslim kolonialistëve serbë”, por qeveria kuvendi dhe kryetarët e Kosovës(1999-2009).

Hëpërhë, ky është problemi më i nxehtë dhe më diskutabil i Kosovës.

Në këtë pikëvështrim, duhet kërkuar llogari dhe zgjidhje imediate nga qeveria, nga parlamenti dhe nga kryetari i Kosovës, jo nga EULEXI, i cili është vendosur në Kosovë me pëlqimin dhe me nënshkrimin e qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës, pas pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008.

Krejtësisht është politikë e gabuar nëse mendohet dhe konstatohet se, misioni i EULEX-it në Kosovë “ka karakter kolonial”, kur dihet se sipas Platformës së tij ka karakter “teknik, udhëzues, monitorues dhe këshillues në fushën e policisë, gjyqësisë dhe të doganave.”
Derisa EULEX-i në Kosovë nuk ka hyrë me forcë dhe, për më tepër nuk ka suprimuar asnjë institucion dhe organ të pushtetit shtetëror të Kosovës, nuk mund të kualifikohet si faktor, as forcë kolonizuese në Kosovë. Pavarësisht, edhe nëse në fushëveprimtarinë e tij të deritashme janë reflektuar gabime apo të meta, misioni i EULEX-it nuk mund të cilësohet me përmbajtje kolonialialiste, sepse, këtë nuk e ka provuar me asnjë potez veprues të tij në teori as në praktikë.

Përkundrazi, “Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) është misioni më i madh civil deri më tani i Politikës Evropiane për Siguri dhe Mbrojtje (ESDP). Synimi kryesor i tij është t’i ndihmojë dhe mbështesë autoritetet kosovare në fushën e sundimit të ligjit, posaçërisht në fushën e policisë, gjyqësisë dhe doganave. Qëllimi i misionit nuk është të sundojë apo të administrojë në Kosovë. Ky është një mision teknik i cili do të monitorojë, udhëzojë dhe këshillojë përderisa do të mbajë një numër të kufizuar të kompetencave ekzekutive. EULEX vepron në një kuadër të përgjithshëm të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe ka një zinxhir të njësuar komandues në Bruksel.” (https://www.eulex-kosovo.eu/alb/index/).
Të mos kryejmë punë për “decentralistët” kapitullues dhe minues të vetëvendosjes së plotë të Kosovës!

Kush është fajtor dhe përgjegjës pse “EULEX vepron në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara…etj.”? (Po aty, //www.eulex-kosovo.eu/alb/index//).

Sigurisht se, jo EULEXI, por qeveria, parlamenti dhe kryetari i Kosovës që, pas pavarësimit të Kosovës (17.02.2008) nuk kanë pasur kurrfarë kapaciteti politik, juridik as diplomatik, që ta hedhin poshtë si të pavlefshme Rezolutën 1244, sepse ligjlrisht, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe, sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, është vetëm një ZERO E MADHE në akull, e cila, pas aktit pavarësues të Kosovës, nuk ka kurrfarë peshe, as efekti juridik ndërkombëtar.

Pra, shikuar gjithanshmërisht, prania e faktorit ndërkombëtar në Kosovë është shumë më i thellë dhe më komplekse sesa protokolli i propozuar nga ana e EULEX-it, që parashikon afrimin dhe bashkëpunimin e Prishtinës dhe të Beogradit në fushën policore, gjyqësore, doganore dhe ndërkufitare.

Kuptohet, gjithsesi, se Prishtina zyrtare nuk duhet të pranojë kurrfarë marrëveshjeje e as kurrfarë protokolli për të bashkëpunuar me Beogradin zyrtar derisa Serbia të mos e njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Mirëpo, ky kundërshtim, pikësëpari, duhet të bëhet nga qeveria, nga parlamenti dhe nga kryetari i Kosovës, sepse sipas detyrës dhe funksionit të tyre, ata janë të thirrur dhe përgjegjës, të veprojnë në mbrojtjen e interesave vitale të shtetit të Kosovës.
Nëse titullarët e qeverisë, të parlamentit dhe kryetari i Kosovës, do të vepronin ndryshe, atëherë, fjalën e fundit e ka opozita politike si korrektor i saj demokratik dhe plotësisht i ligjshëm në kundërshtimin e vendimeve të gabuara në dëm të interesit kombëtar dhe shtetëror të Kosovës.

Pra, nëse Protokolli i propozuar i EULEX-it nënshkruhet nga qeveria, nga parlamenti dhe nga kryetari i Kosovës për të bashkëpunuar me Serbinë (në sferën policore, gjyqësore, juridike, doganore, ndërkufitare etj.), atëherë, kuptohet dhe, krejtësisht është e qartë dhe e justifikueshme që ai akt kapitullues, duhet të hidhet poshtë me çdo kusht, jo vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, por nga e gjithë opozita politike shqiptare në Kosovë qoftë përmes debateve politike publike, qoftë përmes protestave publike demokratike dhe paqësore, pa përdorur dhunën dhe aktet e tjera joligjore dhe jodemokratike.

Po ritheksojmë se, në qoftë se përfaqësuesit e qeverisë, të Parlamentit dhe kryetari i Kosovës, do ta nënshkruanin një Protokoll për të bashkëpunuar me policinë, me gjyqësinë, me doganat etj. të Serbisë, atëherë, duhet të pasojë kundërpërgjigjja eventuale reaguese e spektrit politik të opozitës shqiptare, jo kundër EULEX-it, por drejtpërdrejt kundër atyre institucioneve nënshkruese të Kosovës (qeverisë, parlamentit dhe kryetarit).

Ndryshe, nga organizimi i protestave publike kundër EULEX-it, përkatësisht kundër faktorit ndërkombëtar në Kosovë, do të përfitojnë jo vetëm Serbia, por edhe qeveria e Hashim Thaçit, Kuvendi i Jakup Krasniqit dhe Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Atëherë, lind pyetja: -Pse ne të kryejmë punë për të gjithë ata, që duan ta kenë mirë me EULEX-in, përkatësisht me faktorin ndërkombëtar në Kosovë?!

- Pse ta dëmtojmë Lëvizjen Vetëvendosje, kur qe 10 vjet Kosovën po e “kullosin”, ata që e dëmtuan, e viktimizuan dhe e kompremtuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-në). Ata, të cilët Kosovën e lanë pa ushtri (edhe pse e kishin ushtrinë e gatshme, por, për hir të karrierizmit pushtetor dhe të përfitimit kapitalist të tyre, e eliminuan UÇK-në nga skena ushtarake, politike, diplomatike, ekonomike dhe sociale).

PSE?!
Në interes të kujt është konfrontimi i Lëvizjes Vetëvendosje me EULEX-in?

Vetëm në interes të qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës dhe të Serbisë së Boris Tadiqit, të askujt tjetër!!!
Nëse vazhdohet me gabime të këtilla politike, të papeshuara gjithanshmërisht, Lëvizjen Vetëvendosje, do ta shkatërrojnë në themel, ashtu sikurse UÇK-në, pikërisht, ata aktorë, që sot e drejtojnë qeverinë dhe parlamentin e Kosovës me ndihmën dhe, nën dikatin e faktorëve të huaj ndërkombëtarë.

Ndaj, mos kryeni punë për ato qeveri dhe ato parlamente, të cilat Kosovën e sollën në këtë gjendje të mjerueshme të varur dhe të ndërvarur politike, juridike, ekonomike-me një pavarësi dhe sovranitet të brishtë nën tutelën e huaj të kushtëzuar ndërkombëtare sipas Planit “bekues” të Marti Ahtisarit.

Dy fjalë në mbrojtje të Lëvizjes Vetëvendosje!

*** “Të goditet devijimi, tradhtia dhe shitja”, jo EULEXI, as faktori ndërkombëtar, i cili është shpëtues i Kosovës nga Serbia kolonialiste.

Për të mos u keqkuptuar mesazhi i këtij komenti nuk ka për qëllim që ta “displinojë” politikisht Lëvizjen Vetëvendosje,as opozitën politike shqiptare, por është në funksion të drejtpërdrejtë të mbrojtjes së interesave të saj politike, kombëtare, sociale, juridike, paqësore, demokratike etj., ashtu sikurse në shkrimet paraprake.

Mirëpo, interesat vitale të Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të mbrohen po qe se atë e nxjerrim në rrugë për t’i paguar të gjitha “faturat” e gabimeve të deritashme të politikës zyrtare të pushtetarëve të Kosovës (1999-2009).

Përkundrazi, ato gabime, duhet t’i paguajnë një për një, ata gllabërues të shkurtimit të lirisë, të pavarësisë, të sovranitetit dhe të vetëvendosjes së Kosovës(1999-2009).

Kjo nuk do të thotë se opozita nuk ka të drejtë të ngrejë zërin e saj kundër padrejtësive, të bëra gjatë 10-vjeçarit të fundit (1999-2009) kundër popullit shqiptar në Kosovë, por, paraprakisht, nevojitet, që t’i analizojë thellësisht të të gjitha kushtet dhe rrethanat e krijuara politike dhe shoqërore etj., se kur është momenti oportun politik për t’u ngritur në këmbë publikisht kundër tyre.

Ndryshe, vendimet e ngutshme dhe të papeshuara gjithanshmërisht mund të jenë të gabueshme dhe të dëmshme për interesat e opozitës politike, së këndejmi edhe për Lëvizjen Vetëvendosje,

Jo vetëm Lëvizja Vetëvendosje, por edhe të gjitha subjektet e tjera të spektrit politik pozitë – opozitë e kanë të drejtën e pacenushme të protestimit publik, si formë e ligjshme e çdo sistemi demokratik, jo vetëm në Kosovë (në kuptim të ngushtë), por edhe në mbarë botën(në kuptim të gjerë).

Në këtë kontekst, askush nuk ka të drejtë të gjykojë, as ta dënojë Lëvizjen Vetëvendosje pse dhe, kur organizon tubimet e saj protestuese në Kosovë. Sepse e drejtë e Lëvizjes Vetëvendosje është,kur ajo e gjykon të arsyeshme dhe të nevojshme për të protestuar publikisht kundër gabimeve dhe padrejtësive ndaj interesave vitale të shqiptarëve dhe të Kosovës, si pasojë e politikës së gabuar dhe falimentuese të institucioneve politike të Kosovës.

Në fund, duhet të theksojmë faktin se, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka karakter nacionalist, nuk ka karakter grupor, nuk ka karakter vandalist, nuk ka karakter as prirje për uzurpimin e pushtetit me dhunë, por ka karakter demokratik, kombëtar, ndërkombëtar universal, të bazuar në parimin dhe në të drejtën e vetëvendosjes si fundament kryesor i së drejtës ndërkombëtare.

Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje nuk është kundër pranisë së faktorit ndërkombëtar në Kosovë, por kundër formave devijuese politike, juridike, kushtetuese dhe demokratike të qeverisjes së tij në Kosovë, të cilat janë “produkte origjinale” me shumicë të prodhimit të “industrisë ” vendore të qeverisë, të parlamentit dhe të kryetarit të Kosovës, sesa të EULEX-it dhe të UNMIK-ut etj.

Nëse eventualisht nënshkruhet Protokolli ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për bashkëpunim në fushën policore, gjyqësore, doganore etj., atëherë, si Lëvizja Vetëvendosje, ashtu edhe opozita politike në Kosovë, do të duhej, të kërkonin llogari dhe përgjigje nga qeveria, nga parlamenti dhe nga kryetari i Kosovës, jo nga EULEX-i, përkatësisht jo nga faktori ndërkombëtar.