Kit Harington rrëfen betejën me varësinë pas ‘Game of Thrones’: Isha në një vend shumë të errët

Aktori britanik, Kit Harington, ka folur hapur për periudhën e vështirë që përjetoi pas përfundimit të serialit të famshëm “Game of Thrones”, duke zbuluar detaje rreth betejës së tij me varësinë nga alkooli dhe rrugës drejt rikuperimit.
I njohur për rolin e Jon Snow, Harington tregoi se fama, presioni publik dhe fundi i një projekti që kishte dominuar pothuajse një dekadë të jetës së tij ndikuan ndjeshëm në gjendjen e tij emocionale dhe mendore.
“Kalova një periudhë ku isha në një vend shumë të errët. Nuk doja që njerëzit të më shihnin si dikë që kishte një problem, por përfundimisht më është dashur ta pranoj me vete se kisha nevojë për ndihmë”, u shpreh ai.

Aktori zbuloi se në vitin 2019 vendosi të kërkonte ndihmë profesionale dhe qëndroi për gjashtë javë në një qendër rehabilitimi, ku ishte i izoluar dhe pa telefon.
“Vendosa të shkoja në qendër rehabilitimi pikërisht kur u transmetua episodi i parë i sezonit të fundit. Më duhej të lija alkoolin. Më duhej të mblidhja veten”, tha Harington.
Sipas tij, periudha pas përfundimit të “Game of Thrones” ishte veçanërisht sfiduese, pasi iu desh të përballej me mbylljen e një kapitulli që kishte përcaktuar karrierën dhe jetën e tij për shumë vite. /Telegrafi/














































