Andrew Giuliani, ish-këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump dhe ish-drejtor ekzekutiv i task-forcës së Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës 2026, ka dalë fuqishëm në mbrojtje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.

Giuliani, i cili ka punuar ngushtë me Infantinon para dhe gjatë turneut të kësaj vere, ka reaguar ndaj kritikave që kanë shpërthyer pas anulimit të planit “FIFA Forward Enterprise”.


Në një intervistë për The Independent, amerikani i cilësoi kritikat ndaj Infantinos si të motivuara nga xhelozia dhe kalkulimet politike.

“Është politikë. E kam parë këtë edhe më parë, kur sulmohej presidenti Trump për arsye politike. Njerëzit bëhen xhelozë kur të tjerët arrijnë suksese të mëdha. Ajo që Gianni Infantino ka bërë për FIFA-n është ta çojë organizatën në një nivel krejt tjetër”, deklaroi Giuliani.

Ai theksoi rëndësinë e Kupës së Botës 2026, duke e cilësuar si turneun e parë të organizuar nën vizionin e plotë të Infantinos.

“Duhet të kujtoni se kjo është Kupa e parë e Botës për të cilën Gianni Infantino ka siguruar të drejtën e organizimit gjatë presidencës së tij. Ai trashëgoi turnetë e Rusisë dhe Katarit dhe i menaxhoi mirë, por kjo është e para që përfaqëson vizionin e tij”, u shpreh ai.

Giuliani vlerësoi gjithashtu organizimin dhe suksesin financiar të Botërorit, duke pretenduar se turneu u zhvillua pa incidente dhe solli të ardhura shumë më të larta se edicioni i kaluar.

Në fund, ai bëri një deklaratë jashtëzakonisht të fortë në mbrojtje të presidentit të FIFA-s.

“Po mendoni ta largoni atë. Nëse Gianni nuk rizgjidhet unanimisht, atëherë të gjithë ata që votojnë kundër tij kanë nevojë për një ekzaminim mendor”, përfundoi ai./Telegrafi/

telegrafi sport app