Kana nën rrethim: Policia solli qen, po kërkon trafikantë dhe drogë në Festivalin e Filmit

Festivali i sivjetmë i filmit në Kanë është hapur nën masa sigurie të paprecedenta, me theks të veçantë te një ofensivë kundër drogës. Ndërsa në Rivierën Franceze mblidhen yjet më të mëdhenj të botës, producentë dhe regjisorë, autoritetet lokale kanë vendosur t’i japin fund konsumimit gjithnjë e më të hapur të narkotikëve, që prej vitesh shoqëron një nga ngjarjet më glamuroze të kinemasë.
Sipas raportimit të France24, kryetari i bashkisë së Kanës, David Lisnard, ka urdhëruar një operacion të synuar kundër shpërndarësve dhe tregtisë së drogës, duke pasur parasysh dhjetëra festa që zhvillohen çdo mbrëmje në hotele luksoze, vila private dhe jahtet e ankoruara në gjirin e qytetit.
Me mbi 200 mijë vizitorë gjatë ditëve të festivalit, Kana kthehet në një terren të favorshëm për rrjete të shpërndarjes së narkotikëve. “Kur vijnë 200 mijë njerëz, është e qartë se ka tregti droge dhe ne duhet të luftojmë kundër saj”, ka deklaruar Lisnard, duke shtuar se masat vlejnë si për banorët ashtu edhe për vizitorët e festivalit.
Vëmendje të veçantë po tërheqin ekipet e policisë me qen të trajnuar për të zbuluar kokainë dhe kanabis, të cilët patrullojnë në promenadën e famshme Croisette. Policia po kryen edhe kontrolle të rastësishme në hapësira publike, me fokus të shtuar rreth hoteleve luksoze dhe zonave ku zhvillohen aktivitetet e festivalit.

Edhe pse policia nuk ka të drejtë të hyjë në festa private pa urdhër gjykate, prania e saj në rrugë është e dukshme. Shefi i policisë komunale në Kanë, Yves Daros, ka sqaruar: “Ligji aktualisht na kufizon në hapësirat publike, por kjo na mjafton për të arritur rezultate të mira”.
Disa nga të pranishmit pranojnë se atmosfera është ndryshe, megjithatë pak prej tyre besojnë se kjo do ta ndalë përdorimin e drogës mes elitës. Një producent me përvojë është shprehur se shpreson që të mos ketë testime apo ndërhyrje ndaj të pranishmëve, ndërsa një tjetër ka dyshuar se aksioni do ta ulë realisht përdorimin e kokainës.
“Koktejet dhe kokaina janë pothuajse po aq të vjetra sa vetë festivali”, ka thënë ai, duke shtuar se njerëzit mund të bëhen më të kujdesshëm, por jo domosdoshmërisht të heqin dorë nga “argëtimi”.
Janë shfaqur edhe ankesa se policia nuk po i shënjestron përdoruesit e pasur të kokainës, por po fokusohet te të rinjtë lokalë dhe grupet minoritare. Një i ri pranë stacionit të trenit ka deklaruar se është ndaluar pesë herë brenda një dite.
“Nuk kisha asgjë për të fshehur, ndaj më lanë të lirë”, ka thënë ai. Kryebashkiaku, megjithatë, ka insistuar se kontrollet nuk janë të drejtuara ndaj grupeve të caktuara dhe ka hedhur poshtë çdo pretendim për stigmatizim.

Përveç drogës, policia është në gatishmëri edhe për shkak të vjedhjeve të organizuara të orëve luksoze dhe bizhuterive të shtrenjta. Për shkak të pranisë së mysafirëve të pasur nga e gjithë bota, forcat e sigurisë këtë vit janë përforcuar edhe me ekipe policore të specializuara nga Napoli dhe Madridi.
Shefi i hetimeve kriminale rajonale, Eric Antonetti, ka deklaruar se vitin e kaluar 65% e vjedhjeve të orëve luksoze në Kanë u kryen nga “autorë të huaj”, ku 25% lidhen me grupe nga Napoli dhe 40% me rrjete kriminale spanjolle.
Edicioni i 79-të i Festivalit të Filmit në Kanë është hapur të martën dhe do të zgjasë deri më 23 maj, kur do të ndahet edhe çmimi prestigjioz Palma e Artë. Festivali u shënua edhe nga ndarja e një Palme të Artë nderi për regjisorin Peter Jackson.
Megjithatë, pavarësisht programit të pasur artistik dhe fokusit te kinemaja autoriale, duket se tema më e përfolur në rrugët e Kanës këtë vit janë aksionet policore dhe lufta kundër drogës. /Telegrafi/
























































