Mendimtarët liberalë janë të tronditur, sepse kombet po izolojnë sërish veten nga bota. Befasia e vërtetë do të ishte nëse nuk do ta bënin këtë.
Nga: Ben Chuis / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Planetin po e përfshin një valë e fuqishme e dëshirës për më shumë vetëmjaftueshmëri. Donald Trump ka shpallur “pavarësinë ekonomike” të Shteteve të Bashkuara dhe duket se po përpiqet ta shkëpusë ShBA-në nga sistemi global tregtar të cilin vendi i tij e kishte ndërtuar me aq mund që nga Lufta e Dytë Botërore – një sistem që ka sjellë përfitime të konsiderueshme ekonomike për kombet në mbarë botën.
Dhe, presidenti amerikan nuk është fare i vetëm në dëshirën për ta kthyer vendin kah vetja dhe për t’u mbështetur më pak te vendet e tjera – sa i përket importeve të mallrave dhe lëndëve të para. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, prej shumë vitesh ka qenë mbështetës i zili gengshengut për Kinën, që përkthehet si “vetëmbështetje.” Në ndjekje të kësaj, Pekini ka qenë duke dekurajuar importet dhe duke u përpjekur të forcojë prodhimin vendas të çdo gjëje – nga ushqimi te çipat kompjuterikë.
Edhe të tjerët kanë ndjekur këtë rrugë. “Rusia është një vend i vetëmjaftueshëm në çdo kuptim të fjalës,” u mburr Vladimir Putini vitin e kaluar, duke hedhur poshtë ndikimin e ortekut të sanksioneve tregtare perëndimore që mbuluan vendin në vitin 2022 dhe që donin ta shndërronin atë në një të lëçitur ekonomik. Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ka adoptuar sloganin atmanirbhar bharat, ose “Indi e vetëmjaftueshme”, për atë që është tashmë vendi më i populluar në botë. Edhe Bashkimi Evropian, tradicionalisht i orientuar nga jashtë, ka nisur të eksplorojë se si blloku mund të arrijë më shumë autonomi ekonomike në fushat që variojnë nga energjia te mbrojtja.
Lavdërimi i vetëmjaftueshmërisë dhe ulja e vlerës së lidhjeve tregtare përbëjnë një shkëputje të thellë nga ortodoksia e globalizimit – ideja se lidhjet gjithnjë e më të ngushta midis kombeve, përmes tregtisë, do të forconin sigurinë dhe mirëqenien për të gjithë. Megjithatë, edhe pse mund të duket si një shmangie shumë moderne, ky impuls për t’u kthyer kah vetja – dhe që kombet të shkulin prangat e ndërlidhjes dhe varësisë – nuk është i ri. Në fakt, është i lashtë.
Përgjatë shumë shekujve, është një impuls që është ndier po aq thellë në nivel individual sa edhe në nivel komuniteti. Në të vërtetë, njohja se si këto dy nivele ndërveprojnë dhe e forcojnë njëra-tjetrën, mund të jetë thelbësore për të kuptuar joshjen e vazhdueshme të kësaj mënyre të të menduarit – dhe për të pasur një ndjesi se ku mund të na çojë ajo, qoftë si individë, si shtete kombëtare apo si komunitet global.
Filozofi cinik i shekullit IV para erës sonë, Diogjeni, jetonte në një fuçi në tregun e Korintit dhe thuhet se lehte si qen ndaj njerëzve – për të treguar përbuzjen e tij për normat shoqërore. Kur Aleksandri i Madh e vizitoi Diogjenin, pushtuesi i botëve i kërkoi asketit të veshur me rrecka, i cili në atë çast po shijonte një gjumë të pasdites, të tregonte çfarë dëshironte – nënkuptimi ishte se mund të kërkonte atë që do: pasuri, para, pushtet, status, seks? Përgjigjja, sipas tregimit, ishte se Diogjeni kërkoi këtë: “Largohu pak nga dielli im.”
Është e diskutueshme nëse kjo përballje mes mbretit dhe cinikut (nga greqishtja kynikos, ose “si qen”) ka ndodhur me të vërtetë. Por, nuk ka dyshime për fuqinë e tregimit dhe idenë që përmban. Rrëfimi i mospërfilljes së skajshme të Diogjenit ndaj sundimtarit më të fuqishëm të botës antike, është përhapur prej pothuajse dy mijë vjetësh si ndoshta shembulli më i lartë i dëshirës për vetëmjaftueshmëri.
Vetëmjaftueshmëria, apo autarkia – nga greqishtja auto (“vetë”) dhe arkeo (“mjaftoj”) – është parë që në fillim si një shfaqje e virtytit personal moral. Të mbështetesh te të tjerët do të thoshte të komprometosh aftësinë për të ndjekur urtësinë. Dhe, nëse vetëmjaftueshmëria nënkuptonte të strehoheshe në një fuçi, të lehje si qen dhe të rrezikoje të ofendoje një mbret të fuqishëm, atëherë punë e madhe.
Por, që nga ato ditët më të hershme të qytetërimit perëndimor, virtyti moral i autarkisë nuk ishte vetëm një qëllim për individin, por edhe një aspiratë për kolektivin. Sipas Aristotelit, bashkëkohës i Diogjenit, qytet-shteti ideal në botën e lashtë ishte gjithashtu i vetëmjaftueshëm dhe ata brenda polisit do të kishin gjithçka që u nevojitej për të ndjekur një jetë të mirë filozofike – ndryshe nga ata që ishin jashtë tij.
“Termin vetëmjaftueshmëri,” siç e shprehu Aristoteli, “e përdorim jo si referencë vetëm për veten, duke jetuar një jetë të izoluar, por edhe për prindërit dhe fëmijët dhe gruan, dhe miqtë dhe bashkëqytetarët në përgjithësi, pasi njeriu për nga natyra është një kafshë politike.” Kjo lidhje aristoteliane midis vetëmjaftueshmërisë individuale dhe asaj kolektive – personale dhe politike – vazhdoi edhe në epokën e krishterë.
Thoma Akuini, një dijetar me shtat të fuqishëm, i lindur në Mbretërinë e Sicilisë në vitin 1225, la aq pak përshtypje te shokët e tij të Universitetit të Parisit, saqë ata i vunë nofkën “demi memec.” Por, demi memec bëri më shumë se ndoshta kushdo tjetër për të ndërtuar bazat filozofike të fesë katolike.
Duke u mbështetur te Aristoteli, Akuini foli për “vetëmjaftueshmërinë” e Zotit, në kontekstin e argumentit se gjithë ekzistenca rrjedh përfundimisht nga krijuesi, dhe hyjnia nuk mbështetej në asgjë jashtë vetes. Ky ishte argumenti themelor “skolastik” i epokës mesjetare. Dhe, kjo çoi në mendimin se të jesh i vetëmjaftueshëm do të thotë të jesh më pranë Zotit.
Por, kryesorja, Akuini ishte një mbrojtës i autarkisë ekonomike, jo vetëm asaj shpirtërore. Ai vërejti se ka dy mënyra që një qytet të ushqejë veten: duke rritur ushqimin në fushat përreth, ose përmes tregtisë. “Është krejtësisht e qartë se mënyra e parë është më e mirë,” përfundon Akuini në De Regno (1265), librin e tij mbi mbretërinë. “Sa më dinjitoze të jetë një gjë, aq e vetëmjaftueshme është, pasi çfarëdo që ka nevojë për ndihmën e tjetrit, përmes këtij fakti provohet se është e mangët.” Akuini gjithashtu dha një argument moral për autarkinë kur vuri në dukje se “lakmia zgjohet në zemrat e qytetarëve përmes ndjekjes së tregtisë.”
Kështu, në botën e krishterë mesjetare, ndjekja e autarkisë – si në nivel personal, ashtu edhe në atë komunitar – u shenjtërua duke zgjeruar joshjen e saj dhe duke gjetur një shfaqje të qartë në manastiret, komunitete kryesisht të vetëmjaftueshme dhe të pavarura nga autoriteti i jashtëm, përveç Kishës dhe Zotit, dhe që prodhonin ushqimin, verën dhe veshjet e veta.
Ndërkohë që argumentet për autarkinë në Evropë u ngritën fillimisht mbi thirrjet për moralin dhe karakterin personal, dhe funksiononin po aq si programe shpirtërore dhe psikologjike sa edhe politike, gjetkë lidhjet midis autarkisë dhe kombit po zhvilloheshin më qartë.
Politika sakoku ose “vend i mbyllur” u vendos mbi ishujt e Japonisë në shekullin XVII nga shogunati Tokugava, një formë e diktaturës ushtarake feudale. Misionarët e krishterë perëndimorë u ndaluan dhe ata që ishin tashmë në vend u përndoqën. Emigrimi u ndalua dhe tregtia e huaj u reduktua pothuajse në asgjë. “Të krishterët kanë ardhur në Japoni … për të përhapur një besim të keq dhe për të nënshtruar doktrinën e vërtetë,” thoshte një dekret i shogunatit në vitin 1614.
Autarkia u pa si një mjet i domosdoshëm për të ruajtur fenë dhe moralin tradicional në Japoni, por izolimi ekonomik ishte gjithashtu i lidhur ngushtë me rezistencën ndaj ndërhyrjeve të perandorive të huaja dhe ishte një mjet praktik për të siguruar sovranitetin dhe kontrollin – jo thjesht një parim abstrakt.
Ndërsa bota mesjetare ia la vendin Iluminizmit dhe Romantizmit në Evropë, ideali i autarkisë u rigjallërua nga Jean-Jacques Rousseau. Nga ajo që ai imagjinonte si një perspektivë antropologjike, Rousseau hamendësoi në Diskurs mbi pabarazinë (1754) se njeriu primitiv kishte qenë natyrshëm “i vetmuar”, që bashkohej me të tjerët vetëm për çiftim, dhe ishte shumë më i lumtur për këtë.
Sipas mendjes së Rousseausë, njeriu i hershëm ishte:
duke u endur nëpër pyje, pa industri, pa folur, pa strehë, pa luftë dhe pa marrëdhënie, pa asnjë nevojë për njerëzit e tjerë, dhe po ashtu pa asnjë dëshirë për t’u bërë dëm atyre, ndoshta edhe pa njohur kurrë ndonjërin prej tyre individualisht …
Ka jehonë të qartë të lirisë së Diogjenit këtu, në vizionin e Rousseausë për një “gjendje natyrore”. Dhe, me rëndësi, kjo kishte pasoja për bindjet e tij personale mbi mënyrën se si duhet të jetojnë njerëzit. Rousseau, ashtu si Akuini para tij, bëri kalimin nga lavdërimi i virtytit të përgjithshëm moral të vetëmjaftueshmërisë te rekomandimi i saj si një politikë tregtare për shtetet kombëtare.
“Asnjë njeri që varet nga të tjerët, dhe që i mungojnë burimet e veta, nuk mund të jetë kurrë i lirë,” paralajmëroi ai korsikanët në vitin 1765. “[K]ushtojini pak vëmendje vendeve të huaja, pak kujdes ndaj tregtisë; por shumëfishoni sa më shumë të jetë e mundur prodhimin dhe konsumimin vendas të ushqimeve,” ishte këshilla e Rousseausë për polakët në vitin 1772.
Rousseau frymëzoi një nga përfaqësuesit kryesorë të filozofisë idealiste gjermane, Johann Gottlieb Fichte. Në veprën e tij Shteti i mbyllur tregtar (1800), Fichte kërkoi të bashkonte perspektivën proto-antropologjike të Rousseausë me idetë e Immanuel Kantit, i cili kishte imagjinuar një model të “paqes së përhershme” mes kombeve.
Kjo përfaqësonte një ndryshim të rëndësishëm në konceptin e autarkisë, duke shënuar përfshirjen e saj të parë të vërtetë në teorinë gjeopolitike. Ortodoksia e kohës së Fichtes ishte se tregtia kishte prirjen të nxiste marrëdhënie të mira midis kombeve. Por, për Fichten, përkundrazi, tregtia midis shteteve rivale evropiane kishte shërbyer për të korruptuar marrëdhëniet, dhe jeta ekonomike duhej të shkëputej në mënyrë që paqja të kishte një shans.
“Në një komb që është mbyllur në këtë mënyrë, anëtarët e të cilit jetojnë vetëm midis vetes dhe shumë pak me të huajt … do të zhvillohet shumë shpejt një shkallë më e lartë e nderit kombëtar dhe një karakter kombëtar i përcaktuar qartë,” pretendonte Fichte.
Charles Fourier, biri i një tregtari tekstilesh nga Besançoni, e çoi idenë autarkike të Fichtes dhe Rousseausë në një drejtim të ri dhe joshës. Portretet e kohës shfaqin një individ me shikim të rreptë, me gojë të hollë dhe dukje të zymtë. Megjithatë, pamja e përmbajtur e Fourierit fshihte njërin prej më ekscentrikëve mes socialistëve utopikë të fillimit të shekullit XIX, me spekulimet e tij se detet e botës një ditë do të shndërroheshin në limonadë dhe se njerëzit do të zhvillonin bishta.
Kontributi më i qëndrueshëm i Fourierit në zhvillimin e konceptit të autarkisë ishte vizioni i tij për një shoqëri ideale të komuniteteve të vetëmjaftueshme rurale, të cilat ai i quante “falanstere”, një fjalë e prejardhur nga “falangë” (formacion ushtarak) dhe “manastir”. Ai përshkroi një “arsimim unitar” për të gjithë fëmijët në falangë, pavarësisht pasurisë së familjes, dhe një “minimum shoqëror” që në thelb ishte e ardhura minimale vjetore e garantuar. Është i dukshëm ndikimi i falansterit në jetesën komunare të lëvizjes së hipikëve të viteve ’60 të shekullit XX. Kibucët e Izraelit gjithashtu pasqyrojnë shumë elementë të ideve të tij.
Lëvizjet moderne të “ç’rritjes” ekonomike dhe ato ambientaliste gjithashtu përmbajnë elementë të fuqishëm të mendimit për vetëmjaftueshmëri, së bashku me pasojat morale për të ulur “dëshirat” tona shkatërruese dhe të kota – në mënyrat që Diogjeni dhe të krishterët e hershëm ndoshta do t’i kishin aprovuar.
“[Një] përgjigje më e mirë se globalizimi ekonomik është një kthesë në drejtim të ekonomive më të vogla, të rinuara, lokale, të larmishme dhe të paktën pjesërisht të vetëmjaftueshme,” pohonte ekologjisti Jerry Mander në Çështja kundër ekonomisë globale (botimi i dytë, 2001). Kjo pjesërisht sepse ai besonte se një nga problemet me globalizimin ishte se ai inkurajonte “konsumerizmin e pangopur.” Edhe një herë del në sipërfaqe lidhja midis aspektit personal dhe atij shoqëror në çështjen e autarkisë.
Ashtu si Fichte para tyre, aktivistët e sotëm të majtë antiglobalistë, shpesh argumentojnë se nga tregtia e lirë përfitojnë në mënyrë disproporcionale kombet e pasura, ndërsa dëmtohen ato që janë më të varfra. Sipas këtij këndvështrimi, autarkia bëhet rruga e natyrshme drejt drejtësisë shoqërore, si brenda vendit ashtu edhe në nivel ndërkombëtar – një objektiv tërheqës për ata që janë të përkushtuar ndaj barazisë dhe qëndrueshmërisë. Për të njëjtat arsye, ajo gjithashtu ka tërhequr ata që kërkojnë të ndërtojnë një botë të re, të lirë nga sundimi perandorak evropian.
Që në vitet ’40 të shekullit XX, vizioni i Mahatma Gandhit për një Indi të pavarur nga sundimi britanik ishte ai i një rrjeti fshatrash autonomë, në aspektin ekonomik, “kopshte të vogla të Edenit” që kultivojnë prodhimet bujqësore dhe tjerrin pambukun e vet për veshmbathje. “Çdo fshat duhet të jetë i vetëmjaftueshëm dhe i aftë të menaxhojë punët e veta, madje deri në atë pikë sa të mbrohet kundër gjithë botës,” shkroi ai. Kjo është arsyeja se pse figura e rrotës së tjerrjes ndodhej dikur në zemër të flamurit trengjyrësh të Indisë.
Për Gandhin, vetëmjaftueshmëria nuk do të thoshte se nuk do të kishte fare tregti, por më tepër tregti vetëm për ato gjëra që fshati nuk mund t’i prodhonte realisht vetë. “Vetëmjaftueshmëria,” theksonte ai, “nuk do të thotë ngushtësi. Të jesh i vetëmjaftueshëm nuk do të thotë të jesh tërësisht i mbyllur në vetvete.”
Megjithatë, në raste të tjera Gandhi shprehej me një ton shumë më izolacionist, duke këmbëngulur se “është sigurisht e drejta dhe detyra jonë të hedhim poshtë gjithçka të huaj që është e tepërt, madje edhe gjithçka të huaj që është e nevojshme, nëse mund ta prodhojmë ose ta ndërtojmë në vendin tonë.” Si të përputhen këto deklarata? Lëvizja e vetëmjaftueshmërisë së Gandhit – swadeshi në hindisht – duhet kuptuar si vetëmjaftueshmëri për Indinë, kryesisht në raport me Britaninë, sunduesin perandorak. Lëvizja u shpall në vitin 1905 në Bengal, krahas një bojkoti të mallrave britanike. Swadeshi ishte kundërhelmi i Gandhit ndaj asaj që ai e shihte si kapitalizëm grabitqar perandorak britanik. Dhe, ai mentalitet që India kishte nevojë për vetëmjaftueshmëri mbeti i gjallë shumë kohë pas arritjes së pavarësisë.
Kishte një motivim të ngjashëm për autarki në Tanzani pas pavarësisë, ku lëvizja ujamaa (“vëllazëri” në gjuhën suahili) e presidentit Julius Nyerere në vitet 1960-’70 u bazua në bindjen se kolonializmi evropian dhe urbanizimi kishin devijuar jetën ekonomike afrikane, dhe se përgjigjja ishte kthimi në një jetë të vetëmjaftueshme rurale duke përdorur “plugje me dema” në vend të traktorëve. “Pavarësia do të thotë vetëmbështetje,” thuhej në Deklaratën Arusha të Nyereres në vitin 1967. Për të, autarkia dhe vizioni i tij i veçantë i socializmit afrikan ishin të pandashme.
Mendimi progresist ka mbartur prej kohësh një rrymë të izolacionizmit ekonomik. Megjithatë, siç tregon qartë historia e afërt, shtytja drejt vetëmjaftueshmërisë nuk është aspak e kufizuar tek e majta apo lëvizjet ambientaliste.
Merrni si shembull figurën ekscentrike Robert LeFevre, që ishte jo ndryshe nga Fourieri. I lindur në Ajdaho në vitin 1911, LeFevre e filloi karrierën si shitës i vetëshpallur ambulant “që ikën natën” dhe që më vonë promovoi kultin e Epokës së Re në vitet ’30 të shekullit XX. Por, vetëm në vitet ‘60 të shekullit XX ai kapi momentin e vërtetë si popullarizues i ideve ekonomike libertariane. Në “Shkollën e Lirisë” të tij në Kolorado, LeFevre zhvilloi teorinë e “autarkizmit” në përpjekje për të qartësuar filozofinë e tij dhe për të dalluar nga “anarkizmi” bindjet e tij radikale antiqeveritare.
Siç ka thënë ai në [revistën] Rampart Journal of Individualist Thought në vitin 1966:
autarkia do të nënkuptojë vetëqeverisje të plotë. Ajo do të parashikojë një sistem ose rregullim shoqëror në të cilin çdo person merr përgjegjësi të plotë për veten, kontrollon veten, ushtron autoritet mbi veten … dhe në asnjë mënyrë nuk përpiqet të imponojë vullnetin e vet me forcë mbi ndonjë person tjetër, cilido qoftë ai.
Kjo ishte në thelb një degë e libertarianizmit që i referohej idealit të lashtë grek të vetëmjaftueshmërisë individuale, më shumë sesa një koncepti politik dhe ekonomik.
LeFevre nuk ishte kundër tregtisë dhe ishte një predikues i tregjeve të lira. Shkolla e tij ishte kundërshtare e vendosur e çdo forme të ndërhyrjes shtetërore apo rishpërndarjes ekonomike. Miliarderi i ardhshëm i industrisë së kimikateve dhe karburanteve fosile, Charles Koch, ishte një nga studentët e shkollës së LeFevreit në vitet ‘60 të shekullit XX dhe u ndikua thellësisht nga ajo përvojë. Koch më pas derdhi shuma të mëdha nga pasuria e familjes së tij – në qendra kërkimore libertariane – duke argumentuar për ulje të mëdha taksash, reduktime drastike të shpenzimeve për mirëqenie dhe për derregulim radikal.
Megjithatë, duket se disa elementë të lëvizjes moderne libertariane në ShBA, ndoshta në mënyrë paradoksale janë të hapura ndaj një vizioni komunitar edhe nëse e urrejnë kolektivizmin. Projekti Shteti i Lirë i Nju-Hempshirit i krijuar në vitin 2001, po përpiqet të krijojë një komunitet libertarian në ShBA, duke inkurajuar njerëz me të njëjtin mendim të zhvendosen, në masë, në shtetin e Nju-Hempshirit. “Duke përqendruar përpjekjet tona në një shtet të vogël me një kulturë ekzistuese që është pro lirisë, po e përmbysim prirjen ndaj një qeverie të madhe dhe po përjetojmë përfitimet e lirive të zgjeruara personale dhe ekonomike,” thuhet në faqen e tyre të internetit.
Vlerësohet se ekzistojnë nga 10 mijë deri në 30 mijë komuna ose “komunitete të qëllimshme” në mbarë botën, përfshirë komunitetet fetare si manastiret dhe tempujt, që ndjekin vetëmjaftueshmërinë personale dhe shpirtërore. Por, lëvizjet moderne madhore drejt vetëmjaftueshmërisë ekonomike, zakonisht nuk kanë lindur nga përpjekjet bazike. Përkundrazi, ato shpesh kanë qenë të drejtuara nga shteti. Kjo zhvendosje është nxitur kryesisht nga lufta moderne – ose, më saktë, nga kërcënimi prej saj.
Autarkizmi i Adolf Hitlerit ishte një përgjigje ndaj përvojës së Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore, kur vendi kishte mungesë ushqimi nga bllokada detare e marinës britanike. Duke shkruar në vitet ’20 të shekullit XX, Hitleri hodhi poshtë idenë se Gjermania mund të ushqente popullsinë e saj përmes rritjes së produktivitetit bujqësor dhe shprehu keqardhje që “populli gjerman sot është edhe më pak në gjendje sesa në vitet e paqes të ushqehet nga toka dhe territori i vet.”
Rruga drejt vetëmbrojtjes kombëtare për ish-rreshterin do të duhej të kalonte përmes një programi radikal të ndërtimit të vetëmjaftueshmërisë kombëtare. Dhe, ai besonte se shpëtimi i Gjermanisë qëndronte në pushtimin dhe shfrytëzimin e begatisë rurale të tokave në Lindje, duke fituar kështu famëkeqin Lebensraum (“hapësirë jetese”).
Në një fjalim në vitin 1936, kur ai kishte arritur në kancelarinë gjermane dhe kishte shtypur çdo opozitë të brendshme, Hitleri e bëri të qartë qëllimin e tij ekspansionist territorial:
Sikur të kisha malet Urale me rezervat e tyre të paçmueshme të lëndëve të para, Siberinë me pyjet e saj të pafundme, dhe Ukrainën me fushat e saj të jashtëzakonshme të grurit, Gjermania dhe udhëheqja nacionalsocialiste do të notonin në bollëk!
Ironikisht, armiku e Hitlerit, Joseph Stalini, megjithëse i kishte ato toka pjellore nën kontroll të drejtpërdrejtë, gjithashtu ndiente një frikë nga pasiguria kombëtare dhe vendosi të ndiqte një politikë vetëmjaftueshmërie për Bashkimin Sovjetik, në vitet ’30 të shekullit XX, duke ndërprerë qëllimisht eksportet dhe duke synuar të vendoste pavarësinë ekonomike sovjetike nga “bota kapitaliste”.
Arsyetime të ngjashme për vetëmbështetje, të bazuara në sigurinë kombëtare, u përdorën në Kinën komuniste gjatë Kërcimit të Madh Përpara të Mao Zedongut në vitet ’50 të shekullit XX, kur ai kërkoi të krijonte një industri vendase çeliku, nga e para, duke detyruar fshatarët të shkrinin tenxheret dhe tiganët e tyre në furrat e oborrit të shtëpisë. Por, aty ekzistonte edhe një dimension moral personal. Fermerët e fshatit deri atëherë të panjohur të Dazhait, në provincën Shansi, u paraqitën nga propaganda maoiste si shembuj të punës së vyeshme dhe vetëmjaftueshmërisë që duhej ndjekur nga gjithë kombi.
Megjithatë, autarkistët më këmbëngulës modernë ndodhen në Lindje të Kinës. Në vitet ’50 të shekullit XX, Kim Il Sung, udhëheqësi komunist i Koresë së Veriut dhe luftëtar gueril kundër Japonisë, e bëri vetëmjaftueshmërinë kombëtare jo vetëm objektiv të rëndësishëm, por yllin polar të regjimit të tij të ri. Dhe, ai e quajti atë juche.
“Vendosja e juche-së do të thotë … të refuzosh varësinë nga të tjerët, të përdorësh trurin tënd, të besosh në forcën tënde, të shfaqësh shpirtin revolucionar të vetëmbështetjes,” shpjegonte Kimi. Po të shikosh me kujdes, është e mundur të shohësh një lidhje mes kësaj dhe aspiratës për pavarësi personale që mishërohej në autarkinë e Greqisë së lashtë.
Megjithatë, në realitet, figurat si Kimi, Hitleri, Stalini dhe Mao u motivuan kryesisht nga spektri i luftës, më shumë sesa nga idealet e virtytit kombëtar, kur zbatuan programet e tyre të izolacionizmit kombëtar. Rezultatet e vizioneve të tyre për vetëmjaftueshmëri ishin shkatërrimtare, duke prodhuar gjenocid dhe vuajtje në një shkallë që vështirë mund të paramendohet. Sot, Koreja e Veriut mbetet një mbretëri eremite, e formësuar nga një kult totalitar familjar, në thelb një shtet-burg për popullin, një paralajmërim për koston ekonomike dhe shoqërore të izolacionizmit.
Megjithatë, pavarësisht katastrofave ekonomike që ndjekja e autarkisë shpesh ka sjellë, është e rëndësishme të pranohet se joshja ndaj saj është ndier edhe nga disa prej sukseseve më të mëdha ekonomike kombëtare.
Në janar të vitit 1790, George Washington, presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara, u ngrit për të dhënë mesazhin e tij të parë për Kongresin amerikan: “Një popull i lirë nuk duhet vetëm të jetë i armatosur, por edhe i disiplinuar,” deklaroi ai, “dhe siguria dhe interesi i tyre kërkon që ata të nxisin ato fabrika që bëjnë të mundur që të jenë të pavarur nga të tjerët për furnizime thelbësore, veçanërisht ushtarake.”
Konteksti ishte kërcënimi nga Britania e Madhe, e cila ishte dëbuar në Luftën e Pavarësisë, por që vazhdonte të ishte një rrezik i thellë ushtarak për republikën e sapolindur. Dhe, Britania ishte një superfuqi e tregtisë së lirë dhe në proces industrializimi. Washingtoni dhe sekretari i tij i Thesarit, Alexander Hamilton, besonin se duhej të ndërtonin bazën industriale të Shteteve për të mundësuar që republika të mbrohej vetë. Dhe, kjo nënkuptonte një mur të lartë të taksave mbi importet – tarifave – për të penguar që fabrikat “foshnje” të ShBA-së të mbyteshin nga produktet më të lira të importuara nga një Britani më produktive. Një nga aktet e para të Kongresit të parë ishte vendosja e një tarife.
“Sistemi Amerikan”, siç u bë i njohur, frymëzoi një emigrant gjerman në Pensilvani, të quajtur Friedrich List, të shkruante një libër me ndikim në vitin 1841, duke rekomanduar atë që ai e quajti një “sistem kombëtar i ekonomisë politike,” i cili hodhi poshtë argumentet klasike të njerëzve si Adam Smith dhe David Ricardo për racionalitetin e kombeve që ndjekin tregtinë e lirë. Në vend të kësaj, List tha se vendet me potencial të madh të pashfrytëzuar industrial, që përpiqeshin të kapnin hapin me liderin në produktivitet – në këtë rast, Britaninë – duhet të vepronin për të mbrojtur fabrikat e veta të papjekura, nga konkurrenca me liderin, përmes kufizimeve të fuqishme të importeve, derisa të ishin të afta të konkurronin. Ky mbetet një argument bindës edhe sot për udhëheqësit si të vendeve në zhvillim, ashtu edhe të atyre të pasura, dhe shpesh përmendet për të justifikuar proteksionizmin tregtar si një themel të strategjive të industrializimit apo ri-industrializimit.
Është mjaft domethënëse të krahasosh fjalimin e parë të Washingtonit në Kongres me atë që tha Trump për të njëjtën institucion në vitin 2025. “Nëse nuk kemi … çelik dhe shumë gjëra të tjera, ne nuk kemi ushtri dhe, sinqerisht, nuk do të kemi fare shtet për shumë gjatë,” deklaroi presidenti i 47-të, duke shpjeguar pse kishte rivendosur së fundmi tarifat mbi importet e çelikut. “Dikur prodhonim kaq shumë anije. Nuk i prodhojmë më shumë tani, por do t’i prodhojmë shumë shpejt, shumë shpejt.” Duke e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë politikën tregtare me vetëmjaftueshmërinë kombëtare dhe aftësitë mbrojtëse, Trump po ringjallte idetë që kanë pasur ndikim që në lindjen e republikës amerikane.
Edhe të tjerët sot po merren me të njëjtat rryma historike. Mencius Moldbug, pseudonimi në blog i shkencëtarit kompjuterik amerikan Curtis Yarvin, është një teoricien autoritarist i teknologjisë, ndikimi i të cilit shtrihet te disa politikanë dhe mbështetës të pasur të lidhur me Trumpin. Yarvini avokon për çmontimin e demokracisë amerikane në favor të një monarkie ose një figure kombëtare në formën e një “CEO”-je.
Kur udhëtimi ndërkombëtar u ndërpre në fillim të pandemisë së Kovidit-19, në vitin 2020, Yarvin gjeti momentin e vet – jo vetëm për ta toleruar izolacionizmin, por për ta promovuar atë.
“Kjo gjendje e izolimit absolut nuk është përgjithësisht ideale. Por, nëse na duhet një marrëdhënie që kombinon qartë pavarësinë e pakushtëzuar me paqe të pakushtëzuar, izolimi absolut është gjithmonë i mundur,” shkroi ai në internet. “Çdo vend, në çdo kohë, mundet ose duhet të jetë i lirë dhe i aftë të izolojë plotësisht veten nga bota.”
Kjo, tha ai, në një jehonë të Fichtes, do të rriste shanset për paqe midis shteteve. Dhe, Yarvini u mbështet në disa regjime historike autarkike aziatike për të justifikuar këtë ide:
Sikur fuqitë perëndimore t’i kishin respektuar dëshirat e Dinastisë Qing dhe të shogunatit Tokugava, dhe jo vetëm t’i kishin përmbushur këto politika, por edhe të kishin bashkëpunuar në zbatimin e izolimit ndaj qytetarëve të tyre, thesaret historike – njerëzore dhe fizike – të këtyre qytetërimeve të lashta do të ekzistonin ende. Cili internacionalist mund të dalë përpara dhe të thotë se është mirë që i shkatërruam këto shoqëri?
Rekomandimi i Yarvinit për politikën e Amerikës së shekullit XXI? “Neo-sakoku.” Shtysa autarkike krijon aleatë të çuditshëm.
Disa antropologë argumentojnë se tregtia ekonomike midis grupeve njerëzore me shumë gjasë shtrihet mijëra – ndoshta qindra-mijëra – vjet prapa. Në pellgun e Olorgesailisë në Keni janë gjetur sëpata të punuara me dorë, nga obsidiani, nga një qelq vullkanik që gjendet në mënyrë të natyrshme. Obsidiani nuk është nga ajo zonë, gjë që sugjeron se këta njerëz të epokës së gurit, që jetonin rreth 320 mijë vjet më parë, bënin tregti me grupe të tjera. Një pjesë e asaj që na përcakton si specie – që na dallon nga majmunët e tjerë – duket të jetë natyra bashkëpunuese dhe shoqërore e Homo sapiensit, dhe në mënyrë të veçantë aftësia jonë për “të nxënit kulturor.” Rousseau gaboi kur besoi se njeriu primitiv ishte një vetmitar i vetëmjaftueshëm.
Dhe, dëshmitë janë të qarta se globalizimi – lidhjet tregtare më të mëdha, transmetimi i dijeve dhe teknologjisë, investimet ndërkufitare, migrimi i njerëzve – ka sjellë përfitime spektakolare materiale për njerëzimin dhe standarde më të larta jetese gjatë shekujve të fundit, veçanërisht në epokën pas Luftës së Dytë Botërore. Ka, padyshim, komunitete që janë tronditur dhe kanë vuajtur për shkak të ndikimit të globalizimit, por nuk ka arsye të besohet – përkundër asaj që pretendojnë disa politikanë – se një kthesë masive drejt izolimit nga ana e kombeve do ta zhbënte këtë dëm. Dhe, një tërheqje e tillë me gjasë do të shkaktonte dëm të rëndë për jetesën e miliarda njerëzve në mbarë botën. Tregtia dhe ndërlidhja, pavarësisht nëse e kuptojmë apo e pëlqejmë, janë pjesë e asaj që jemi – dhe kanë qenë gjithmonë.
Megjithatë, është e kotë të mohohet se shtysa drejt vetëmjaftueshmërisë – drejt një izolimi ekonomik – arrin shumë thellë në psikikën dhe historinë tonë. Ajo që bie më shumë në sy te autarkia është përshtatshmëria e saj si program dhe ideologji. Ajo mund të jetë tërheqëse, në mënyrë mbresëlënëse, përtej vijave politike, shoqërore dhe ideologjike që duken si të papajtueshme. Ajo është përqafuar, në periudha të ndryshme, nga lëvizjet e majta dhe të djathta politike, nga besimtarë dhe ateistë, nga nacionalistë dhe kozmopolitë, nga fashistë dhe komunistë, nga shtete të pasura dhe shtete të varfra, nga fuqitë perandorake dhe të kolonizuarit, nga ambientalistë dhe industrialistë. Ajo mund të justifikohet nga synimi për paqe ose nga kërkesat e luftës. Çdo njësi – nga individi, te familja, te fshati, qyteti, kombi – mundet, në dukje, të aspirojë vetëmjaftueshmërinë. Ajo mund të lindë nga një nostalgji që shikon prapa – një dëshirë për të kthyer orën mbrapsht ose për të ruajtur status quo-në – ose nga një bindje se është një program progresiv dhe i domosdoshëm për ndërtimin e së ardhmes. Si një model historik i motit El Ninjo, shtysa për vetëmjaftueshmëri vazhdon të rikthehet – në mënyrë të paparashikueshme, por, gjithashtu, në dukje të pashmangshme.
Pra, çfarë e bën shtysën autarkike kaq të qëndrueshme? Aftësia e saj për t’u transformuar dhe për t’u lidhur me një mori të pafundme ideologjish është pa dyshim thelbësore. Por, ndoshta është edhe ajo lidhja e pandashme në autarki – e dukshme që nga koha e Greqisë së lashtë – midis moralit personal dhe pyetjes se si duhet të lidhemi me njëri-tjetrin brenda komuniteteve dhe midis tyre. Që të kenë sukses, lëvizjet politike duhet të prekin diçka themelore në natyrën e gjithsecilit. Ndjenja jonë e lindur për virtytin e vetëmbështetjes është shpesh guri i themelit mbi të cilin ndërtohen ato. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Tezat e një amerikani, për islamizimin e shqiptarëve

Esat Toptani nuk ishte i vetmi që bashkëpunoi me jugosllavët

Në thesarin filatelik të Postës së Kosovës: Mes pullave postare që përcjellin çdo letër të dërguar "Me dashuri nga Kosova"

Historitë e shqiptarëve që jetojnë në Turqi (Video)

Shitet shtëpia me sipërfaqe prej 360 m² në lagjen Pejton në Prishtinë

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Partnerë në elegancë: Telegrafi dhe Melodia Px ofrojnë 4 kravata Pierre Cavelli për vetëm 19.95 euro!

Kompletohu dhe shkëlqe në mbrëmjen e maturës me marrëveshjen mes Telegrafit dhe Melodia PX!

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Më të lexuarat

Pas aktgjykimit të Kushtetueses, reagon Vetëvendosje

Trump po planifikon marrëveshje 30 miliardë dollarëshe për një program bërthamor me Iranin?

Viktimë e shantazhit seksual online, rrëfimi i 48-vjeçarit: Më kërkuan para për të mos publikuar video intime

A ju kujtohet 'stadiumi fantazmë' që kishte filluar të ndërtohej para 15 vitesh? Shikoni çfarë po i ndodh sot

Stuhi të fuqishme me breshër godasin Tirolin e Austrisë, raportohet për dëme të shumta materiale

Ky është interpretimi i Kushtetueses për votim të hapur apo të fshehtë